Samiti i BE-së vendosi sonte që në rast të një rritje të infeksioneve të COVID-19 dhe shfaqjes së mutacioneve të rrezikshme të sëmundjes, unioni mund të vendosë të mbyllë kufirin për udhëtarët nga vendet e treta.

Këshilli Evropian mirëpriti progresin në vaksinimin dhe përmirësimin e situatës epidemiologjike, ndërsa theksoi nevojën për të vazhduar përpjekjet e injektimit të dozave dhe për të monitoruar dhe koordinuar zhvillimet, në veçanti shfaqjen dhe përhapjen e varianteve të reja.

Pak ditë më parë Bashkimi Europian vendosi që të hapte kufijtë për udhëtarët nga tetë vende dhe territore duke përfshirë, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nëse situata do të përkeqësohet nga infektimet apo shfaqja e mutacioneve të rrezikshme, i fundit që ka vendosur botën në alarm është ai indian, atëherë do të rikthehet mbyllja e kufijve.