Aksidenti tragjik që ndodhi sot në aksin Fier-Vlorë, ku u shua një familje me 4 anëtarë të saj, të cilët kishin ardhur nga Greqia për të kaluar pushimet me të afërmit, padyshim që preku zemrat e gjithë shqiptarëve.

Nga aksidenti humbën jetën Eduart Gushi, 44 vjeç, gruaja e tij, Silvana Gushi dhe dy vajzat e tyre të mitura, Anastasia dhe Eva dhe u plagosën 3 të rinj që udhëtonin në një mjet tip Audi, i cili thuhet se ka goditur mjetin e viktimave nga pas, ndërsa ishte me shpejtësi të lartë.

Në shenjë proteste kundër këtyre ngjarjeve, ku thuajse çdo ditë në rrugët e vendit humbasin jetë njerëzish, qytetarët janë sensibilizuar dhe janë hedhur në një protestë para Ministrisë së Brendshme.

Siç shihet edhe në pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetarja Dorjana Bezat shihen disa të rinj që në shenjë protestë bllokuan për pak minuta rrugën para Ministrisë së Brendshme, duke u shtrirë përtokë bashkë me biçikletat e tyre.

Ndërkohë, mbrëmjen e sotme një çift bashkë me dy fëmijët e tyre në shenjë homazhi për viktimat e aksidentit ndezën qirinj para ministrisë së Brendshme. Sipas tyre kjo pasi është ky institucion që duhet të marrë masa për parandalimin e aksidenteve.

“Një njeri që udhëton me 150-200 km/h në orë në një rrugë, sado që të jetë limiti i saj, mendoj se është vrasës potencial. Se ai nuk u aksidentua, por vrau, mori në qafë dikë tjetër. Ka diçka që nuk funksionon këtu. Ne shohim kudo policë, por këta njerëz e lëvizin me mbi 150 km në orë janë aktiv.”, tha qytetari.