Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas zjarrit që ka përfshirë malin e Tomorrit.

Meta i bën thirrje institucioneve vendore dhe atyre qendrore që të ndërhyjnë për të mos lejuar shkatërrimin e pasurisë publike.

“Në mënyrë të veçantë nxis Agjencinë Kombëtare te Mbrojtjes Civile, që është vënë në dijeni të situatës, për angazhimin pa vonesë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes për operacione nga ajri, si e vetmja formë efikase operacionale për fikjen e zjarrit në malin e Tomorrit, për shkak të terrenit të vështirë për ndërhyrje nga toka.

Është e pajustifikueshme për strukturat e Shërbimit Zjarrfikës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, që prej shumë orësh, sipas raportimeve nga terreni, nuk kanë angazhuar mjetet dhe efektivët për shuarjen e zjarrit masiv, një krim i rëndë mjedisor”, është shprehur Meta.

Presidenti gjithashtu thekson se strukturat përgjegjëse duhet të marrin masa për të neutralizuar në kohë çdo vatër zjarri, duke shtuar se indiferentizmi në mosreagim operacional është shpërdorim detyre me përgjegjësi ligjore.

Reagimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta:

Jam duke ndjekur me shqetësim situatën aktuale të përhapjes së vatrës së zjarrit në malin e Tomorrit, që po dëmton seriozisht Parkun Kombëtar, një pasuri e jashtëzakonshme publike.

U bëj thirrje autoriteteve vendore dhe qendrore të mos qëndrojnë indiferentë dhe as të humbasin më kohë, në marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar zjarrin dhe minimizimin e pasojave.

Në mënyrë të veçantë nxis Agjensinë Kombëtare te Mbrojtjes Civile, që është vënë në dijeni të situatës, për angazhimin pa vonesë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes për operacione nga ajri, si e vetmja formë efikase operacionale për fikjen e zjarrit në malin e Tomorrit, për shkak të terrenit të vështirë për ndërhyrje nga toka.

Është e pajustifikueshme për strukturat e Shërbimit Zjarrfikës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, që prej shumë orësh, sipas raportimeve nga terreni, nuk kanë angazhuar mjetet dhe efektivët për shuarjen e zjarrit masiv, një krim i rëndë mjedisor

Nisur nga ky rast, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe natyrës, Parqeve Kombëtare dhe Zonave të Mbrojtura, si dhe domosdoshmërinë e eliminimit të çdo rreziku për jetën dhe pronën, u bëj thirrje të gjitha strukturave përgjegjëse, të marrin të gjitha masat për të neutralizuar në kohë çdo vatër zjarri, në të gjithë territorin e vendit, që do të dëmtonte seriozisht pasurinë kombëtare dhe atë private.

Indiferentizmi në mosreagim operacional është shpërdorim detyre me përgjegjësi ligjore.