Kylian Mbappe dëshiron ta harrojë sa më shpejt zhgënjimin e pësuar në Euro 2020. Përballë Zvicrës dështoi në penalltinë vendimtare dhe në çerekfinale u kualifikua kombëtarja helvete. Ylli francez ka edhe një vit kontratë me PSG.

L’Equipe shkruan se Mbappe ka vendosur të mos rinovojë kontratën. 22-vjeçari u ka shprehur vendimin e tij drejtuesve të klubit. Real Madrid e pret krahëhapur prej vitesh, por lojtari nuk dëshiron të nxitohet.

Ndaj klubit nuk ka asnjë ultimatum për t’u larguar këtë verë. PSG është përforcuar në merkato dhe Mbappe beson se sezonin e ardhshëm mund të fitojë Champions League me skuadrën e Pochettinos.

Verën e ardhshme do të dalë lojtar i lirë dhe aty do të zgjedhë vetë për hapin që do të hedhë në karrierë. Gjithsesi, duke llogaritur mundësinë e humbjes së Mbappe me parametra zero në fundin e sezonit të ardhshëm, PSG mund të zgjedhë ta shesë që këtë verë.

Zëvendësuesi? Sigurisht që Cristiano Ronaldo, për të cilin PSG nuk do të haste aspak probleme për ta blerë nga Juventusi (25-30 milion euro). Për momentin, i sigurt është fakti që Mbappe nuk preferon të rinovojë kontratën.