Prokurori i Vlorës Maksim Sota, nën arrest shtëpiak me akuzat e abuzimit me detyrën, ka vepruar si ndërmjetës midis trafikantëve të drogës dhe policëve për të lehtësuar veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës.

Prokurori Maksim Sota e ka nisur detyrën në Prokurorinë e Vlorës dhe ka qenë drejtues i kësaj prokurorie për disa vite. Ai ka qenë kandidat për të qenë pjesë e SPAK. Në korrik të vitit 2019 u intervistua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si kandidat i Strukturës së Posaçme, por u skualifikua që në fazën e parë.

Hetimet nga operacioni “Shpirti” zbuluan se në krye të rrjetit të trafikantëve të drogës ishin dy ish badigardët e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ata janë Agustin Alias Paul Deda dhe Hekuran Marku, të arrestuar në Spanjë ku po kryejnë një dënim për trafik droge.

Besohet se ishin pikërisht dy ish-shoqëruesit e Tahirit pronarët e tonelatave të drogës si dhe organizatorët e zinxhirit të furnizimit. Ata shoqëronin vetë ngarkesat e drogës me mjetet lundruese që niseshin nga brigjet shqiptare.

Dy oficerët e tjerë të arrestuar, si pjesë e kësaj organizate, janë: Shefi kundër trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ilirjan Balla dhe nenkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj.

Ilirjan Balla ka qenë drejtues i lartë i policisë në disa qarqe. Mësohet se nënkomisari i Fierit, Festim Lelaj ka tentuar ti shpëtojë arrestimit duke u hedhur nga ballkoni por ka mbetur i dëmtuar në këmbë

Për t’u kujdesur për plantacionet me kanabis ishte Saimir Kurti, ish-drejtor i zyrës së punës në Kavajë.

Sipas hetuesve, ai u ka dhënë me qira tokë trafikantëve dhe përgjigjej për mbjelljen, kultivimin dhe korrjen e drogës deri në magazinimin dhe transportimin. Në vitin 2016, Kurti plagosi tre persona përpara bashkisë së Kavajës.