Njëri nga dy të rinjtë e rrahur brutalisht me shkop bejsbolli nuk ia ka dalë të mbijetojë. Viktima fatkeq është 23-vjeçari shqiptar i identifikuar si Atilio Drekai. Ai kishte rënë në  koma dhe iu nënshtrua dy operacioneve por pas disa orësh mjekët thanë se truri i tij “vdiq” dhe kështu u detyruan që t’i hiqnin aparaturat që e mbanin në jetë.

Djali ishte shtruar orët e para të mëngjesit të së premtes në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Carlo Poma në Mantua.  Me vdekjen e të riut, magjistrati që po ndjek çështjen, Fabrizio Celenza, do të ndryshojë akuzën në vrasje.

Nga ana tjetër 35-vjeçari viktimë e dhunës brutale është ende në jetë megjithatë gjendja e tij është tepër e rënduar. 35-vjeçari, sipas mediave italiane ka një të shkuar kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Motivi i sulmit të dhunshëm me shkopinj bejsbolli dyshohet se lidhet me tregtinë e drogës. Karabinierët po punojnë në këtë pistë dhe po dëgjojnë disa dëshmitarë për të rindërtuar skemën e rrahjes.

Karabinierët gjithashtu do të kontrollonin pamjet nga kamerat në qendrën tregtare. Mësohet se kanë qenë 4-5 persona që i kanë sulmuar dhe rrahur brutalisht dy të rinjtë.

Po ashtu raportohet se dy personat e dhunuar kanë dalë në zonën ku u gjetën të rrahur pas një telefonate që thuhet se erdhi nga një grup shqiptar.