Imazhet satelitore të bëra publike kohët e fundit, zbulojnë se Kina ka filluar atë që gazeta amerikane “The Washington Post” e quan“fillimin e zbatimit të një projekti që mund të sinjalizojë një zgjerim të madh të aftësive bërthamore të Pekinit”.

Analisti i çështjeve bërthamore Jeffrey Lewis,thotë e Kina po ndërton atë që duket se jenë 119 baza të lëshimit të raketave (silo), të shtrira në një sipërfaqe prej më shumë se 1812 km2 në shkretëtirën Gansu. Ndërtimi i tyre filloi në shkurt të këtij viti.

Ndërtimi i tyre tregon se Pekini nuk po synon të ketë vetëm një sasi minimale armësh bërthamore për qëllime parandaluese. Përkundrazi, ushtria kineze madje mund të jetë duke ndërtuar një aftësi bërthamore “për të zhvilluar një luftë bërthamore në shkallë të gjerë”.

Lewis, drejtori i Programit të Mospërhapjes së armëve në Azinë Lindore dhe i Qendrës James Martin për Studimet mbi Mospërhapjen e armëve atomike, ka identifikuar edhe 26 silo të tjera në Kinë.

“Po shohim një ritëm befasues të ndërtimit të tyre, shumë më tepër sesa ajo që kemi pritur të shohim”-tha ai për CNN.Nga pamjet satelitore bazat e lëshimit duken si të dizenjuara për të përdorur raketën DF-41, e cila ka një distancë maksimale prej gati 15.000 km dhe mund të mbajë secila nga 10 bomba bërthamore.

Nëse janë të pajisura me të gjithë pajisjet, 145 bazat do të shërbenin për të goditur objektivat në territorin e SHBA-së.“Vetëm këto baza të reja lëshimi,do t’i sigurojë Kinës pasjen në gatishmëri të mbi 1000 bombave të reja bërthamore-më saktë 1.450 -pra thuajse dyfishin e forcës bërthamore të gatshme që ka SHBA-ja aktualisht.

“Pra ajo ka nën vetvete një forcë bërthamore afërsisht të barabartë me 1.490 armë bërthamore të vendosura në det dhe në tokë”-thotë Peter Huessy i Institutit Mitchell për Studime Hapësinore.

Kur të numërohen të gjitha armët bërthamore të Kinës -ky vend ka po ashtu raketa bërthamore të llojeve të tjera -atëherë do të shihet se numri i armëve të tilla mund të rivalizojë atë të Amerikës. Disa besojnë se brenda 2 viteve arsenali bërthamor kinez do ta tejkalojë atë amerikan.

Kina ka ndërtuar edhe më herët baza të tilla të lëshimit, ndaj nuk është e sigurt nëse të 145 silot do të pajisen me të frikshme DF-41, apo me to do të pajisen vetëm pak nga silot. Siç thotë Lewis, ka “shumë të ngjarë që Kina po planifikon të luajë një lojë në formë presioni”.

Ndoshta Kina po planifikon të luajë bllofin, edhe pse strategët amerikanë të luftës, nuk mund të bazohen vetëm tek skenarët më të mirë. Përkundrazi, në marrjen e vendimeve për jetë a vdekje, ata duhet të supozojnë përgjithësish të kundërtën, skenarët më dramatikë.

Pentagoni duhet të përgatitet për më të keqen, pasi Pekini ka bërë gjithçka që është e mundur për të shtuar frikën e Amerikës. Për shembull, gjeneralët kinezë kanë bërë periodikisht kërcënime të paprovokuara ndaj bazave bërthamore amerikane.

Ndërkohë në tetor 2013, mediat shtetërore kineze dhe të Partisë Komuniste -“People’s Daily”, Televizioni Qendror i Kinës, “PLA Daily” dhe “China Youth Daily” – transmetuan një histori identike se si nëndetëset kineze, duke lëshuar raketa balistike me armë bërthamore, mund të shkatërronin qytetet amerikane dhe vrisnin dhjetëra miliona amerikanë.

Madje Pekini përmendi me emër 12 qytetet amerikane që do të shkatërroheshin. Këto artikuj u botuan enkas nga mediat zyrtare, për të treguar se ato nuk ishin produkte të ndonjë gazetari mashtrues, por të diktuara nga ata që ishin në krye të sistemit politik kinez.

Në çdo rast, kërcënime të tilla vënë në pikëpyetje politikën zyrtare të Pekinit – dhe të deklaruar shpesh – të mospërdorimit i pari të armëve bërthamore.

Për më tepër, udhëheqësit e Kinës kanë hedhur vazhdimisht poshtë përpjekjet e amerikanëve, që Pekini t’i bashkohet Moskës dhe Uashingtonit në negociatat për kontrollin e armëve. Refuzimi i Pekinit për të biseduar mbi këtë çështje, dhe këmbëngulja e tij për të mbajtur të fshehtë arsenalin e tij të armëve bërthamore, nënkupton se Uashingtoni nuk ka zgjidhje tjetër veçse të besojë se Pekini synon qëtë ndërtojë një forcë më të madhe bërthamore sesa ajo e Amerikës.

Në këtë rast, SHBA supozon se skenari më i keq është ai i bashkimit të Rusisë dhe Kinës, për të përdorur arsenalet e tyre kundër Amerikës dhe miqve të saj. Moska dhe Pekini,kanë zhvilluar vitet e fundit stërvitje të përbashkëta ushtarake, dhe e kanë koordinuar kundërvënien e tyre ndaj SHBA-së.

Siç u shpreh Richard Fisher i Qendrës së Vlerësimit dhe Strategjisë Ndërkombëtare “ne duhet të kemi parasysh faktin se Kina dhe Rusia janë përfshirë në një bashkëpunim midis tyre për shtimin e raketave bërthamore për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, ndaj ka të ngjarë që ky bashkëpunim të vazhdojë”.

Lewis, një kritik i vjetër i qasjes së Uashingtonit ndaj armëve bërthamore, fajëson SHBA-në për përpjekjen e dukshme të Kinës për ndërtimin e një arsenali të madh bërthamore. “Ne po zhytemi në një garë armatimesh që diktohet kryesisht nga investimet e SHBA-së në ushtri dhe nga mbrojtja raketore”-tha ai për “The Washington Post”.

Është e vërtetë që Pentagoni ka në plan të modernizojë forcat e veta bërthamore, por Pekini e di se Amerika thjesht i përditëson armët që janë disa dekadëshe dhenë prag të daljes jashtë përdorimit. Për më tepër, sistemi i mbrojtjes raketore në SHBA, është krijuar për t’u përballur me sulme nga shtetet diktatoriale,dhe zotëron pak aftësi për të parandaluar një sulm masiv kinez.

Me pak fjalë, nuk ka praktikisht asnjë provë që mbështet pohimet e Lewis. Siç thotë Fisher, “Kina kërkon epërsinë në fushën e raketave bërthamore, pasi dëshiron të shkatërrojë demokracinë në Tajvan, të shkatërrojë sistemin e aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja në Azi, dhe dëshiron të bëhet hegjemonia ushtarake në botë deri në mesin e këtij shekulli”.

Ndoshta edhe më herët. Në çdo rast, në shkretëtirën Gansu janë ndërtuar 119 silo të reja raketash, gjë që sugjeron se Kina po përgatitet për një luftë bërthamore në shkallë të gjerë.