UEFA ka hapur hetim ndaj Anglisë, pas një incidenti që ndodhi gjatë gjuatjes së penalltisë nga Harry Kane.

Pak para gjuajtjes së penalltisë, një nga tifozët i ka hedhur një rreze lazer në sy portierit të Danimarkës, Kasper Schmeichel, për ta shpërqëndruar.

Gjithsesi, ai ai doli ta priste topin herën e parë, por Kane, duke shfrytëzuar mosorganizimin e duhur të mbrojtjes, e goditi sërish dhe e çoi topin në rrjetë.

Për këtë veprim, Anglia e cila do të përballet me Italinë në finale, mund të dënohet me gjobë.

Anglia akuzohet gjithashtu për shkaktimin e një “shqetësimi” gjatë himnit kombëtar të Danimarkës dhe vendosjen e fishekzjarreve.

“Çështja do të trajtohet nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së Uefa në kohën e duhur,” tha një deklaratë nga organi drejtues i futbollit Evropian.

Gjatë himnit kombëtar danez u dëgjuan brohoritje, të cilat u kritikuan nga zëdhënësi zyrtar i Kryeministrit Boris Johnson.

“Ne duam që tifozët të tregojnë mbështetje dhe të jenë të respektueshëm”, tha zëdhënësi.

Pas lojës, përfaqësuesit danezë u pyetën nëse dëshironin të bënin një ankesë zyrtare, por thanë se nuk dëshironin ta çonin çështjen më tej.