Organizata Botërore e Shëndetësisë hedh dritë për herë të parë publikisht mbi eksperimentet e diskutueshme ku viruset modifikohen gjenetikisht në të paktën 13 laboratorë në të gjithë botën. Këto eksperimente që i përkasin ekskluzivisht nivelit 4 të sigurisë ose BLS 4, zhvillohen me patogjenë të rrezikshëm.

Por OBSH ka zbuluar se në laboratorin e Wuhan në Kinë, këto eksperimente shumë të rrezikshme për përhapje infeksionesh janë kryer në nivelet 2 dhe 3 të sigurisë, tejet të ndaluara për aplikim.

Në këto kushte OBSH ka pranuar për herë të parë se në laboratorin e Wuhan janë kryer dhe po vazhdon të ndodhë, eksperimente të rrezikshme dhe jashtë kontrollit të institucionit mbikëqyrës ndërkombëtar.

Laboratori në Wuhan thotë se ka kryer të tilla eksperimente me viruse, vetëm në kuadrin e kërkimeve shkencore me qëllim gjetjen e trajtimeve ose vaksinave të reja kundër viruseve të rrezikshme që shfaqen.

OBSH, duke bërë një deklaratë për rrjetin televiziv shtetëror grek, ERT, thotë se “për shkak të rreziqeve serioze të dukshme që mund të përfshijnë këto eksperimente, rekomandohet shumë që ato të mos kryhen, përveç nëse ka arsye të qarta bindëse dhe gjithashtu të realizohet një mbikëqyrje e rreptë e sigurisë”.

Kjo deklaratë nga OBSH në thelb konfirmon kryerjen e vazhdueshme të eksperimenteve të tilla me patogjenë të rrezikshëm nga shkencëtarë në shumë vende, në nivele të ndryshme të sigurisë.

Eksperimente të tilla raportohet të jenë kryer nga koronavirusët dhe shkencëtarët në Laboratorin Virologjik të Wuhan, i cili, sipas dokumenteve zyrtare dhe videove të fundit nga vetë laboratori, nuk dukej se plotësonte standardet e kërkuara të biosigurisë në shumë raste.

Ky fakt përforcon më tej skenarët e një aksidenti të mundshëm, ose përmes infektimit të bashkëpunëtorëve të laboratorëve në nëntor 2019 siç pohohet së fundi nga SHBA, ose përmes ikjes së virusit në mjedis të jashtëm, duke shkaktuar pandemi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, përballë rreziqeve të eksperimenteve të tilla, thotë se që më 2010 ka botuar një direktivë, të titulluar “Kërkime të Shkencave të Jetës Përgjegjëse mbi Sigurinë Globale të Shëndetit”, si dokument udhëzues në llojet e kërkimeve në fushën e shkencave të jetës që mund të shkaktojnë shqetësim, duke përmendur edhe shembuj.

OBSH evidenton faktin se është rrëzuar teza që mbrojti Kina se eksperimentet janë kryer vetëm në nivelin 4.

Zyrtarisht Pekinj thotë se në laboratorin e Wuhan nuk janë kryer eksperimente me koronavirusë në nivelet e biosigurisë nivelet 2 dhe 3, kur rregulloret ndërkombëtare përcaktojnë vetëm nivelin 4.

Por këtë pretendim e rrëzon padashur vetë Kina dule publikuar një video zyrtare promovuese për laboratorin e Wuhan në faqen e internetit të Akademisë Kineze të Shkencave (CAS).

Video promovon laboratorin e Wuhan dhe në të tregon lakuriqët e natës në kafaze, si dhe një studiues i veshur me doreza të thjeshta blu kirurgjikale.

Videoja për ironi është realizuar pasi instituti kërkimor mori më 2017, vlerësimin më të lartë të biosigurisë BLS4.

Video në faqen e internetit të Akademisë Kineze të Shkencave përshkruan se laboratori në Wuhan ka tre nivele sigurie për ruajtjen e kafshëve laboratorike me një sipërfaqe totale prej 13,100 metra katrorë, në të cilat ka 12 kafaze lakuriqësh. Për nivelin 4 as që bëhet fjalë.

Zyrtarët amerikanë, të cilët vizituan strukturën kërkimore, çuan raporte urgjente në Uashington, duke paralajmëruar standarde të dobëta sigurie në laborator. Të dy zyrtarët e ambasadës amerikane thanë se laboratori “kishte mungesë serioze të teknikëve dhe studiuesve të trajnuar siç duhet për të operuar në mënyrë të sigurt këtë laborator të sigurisë së lartë”.

Laboratori i Wuhanit u nis si një projekt bashkëpunues mes Kinës dhe Francës në 2004 për të studiuar shfaqjen e sëmundjeve infektive pas epidemisë SARS, e cila atëherë përhap nga Kina në shumë vende të botës përfshirë Shqipërinë.

Instituti i Virologjisë i përket Akademisë Kineze të Shkencave, e cila drejtohet nga Këshilli Shtetëror i Republikës Popullore të Kinës.

Ndërtimi i laboratorit të nivelit BLS4 përfundoi në 2015 me financim nga Franca dhe, në fakt, në 2017, ish Kryeministri i Francës preu shiritin në ceremoninë e hapjes. Plani i bashkëpunimit parashikonte që 50 studiues francezë të merrnin pjesë në laborator për pesë vitet e ardhshme. Por kjo nuk ndodhi kurrë.

Komisioni Franko-Kinez për Sëmundjet Infektive njoftoi se ekipet e ngritura nga palët nuk zhvilluan asnjë mbledhje.

Arsyeja përmendet në videon e laboratorit të Wuhan në vitin 2017, në të cilën bëhet një referencë e shkurtër për bashkëpunimin kino-francez, që të dy palët kishin “më shumë se një dekadë konfliktesh të forta, për shkak të ndryshimeve në sfondin kulturor dhe ideologjik”.

Për disa vite, laboratori u financua edhe nga Komisioni Evropian që dha qindra mijë euro për të krijuar një bazë arkivore të dhënash për koronavirusët.

Në Komision, ka disa ditë që diskutohet për këtë financim duke shtruar pyetjen e frikshme: Vallë a ka financuar Evropa këtë pandemi?

Sipas qarqeve të Parlamentit Evropian, edhe më shumë pyetje pritet të paraqiten në të ardhmen e afërt, me qëllim zbulimin e veprimeve që përfshijnë institucionet evropiane në financimin dhe bashkëpunimin me Laboratorin Wuhan.

OBSH pranon se çdo e dhënë që përftohet nga ky laborator mbetet e paarritshme për Organizatën dhe ekspertët e tjerë ndërkombëtarë, megjithëse në shtator 2019, laboratori njoftoi se ka një bazë të dhënash të mostrave dhe sekuencave virale – më e madhja në Azi që nga viti 2018.

Nga ana tjetër, një buletin i Departamentit të Shtetit thotë se studiuesit e Wuhan kishin filluar eksperimentimin me koronavirusin RaTG13, i cili është identifikuar se ka ngjashmërinë më të afërt gjenetike me COVID-19 dhe ky proces kishte nisur që nga viti 2016.

Ndërkohë, shkencëtarët në Universitetin e Kent kanë përmbysur versionin kinez të shpërthimit të parë të pandemisë. Ndërsa Kina raportoi rastin e parë më 30 dhjetor 2018, në një studim të ri është arritur në përfundimin se patogjeni është shfaqur për herë të parë nga fillimi i tetorit deri në mes të nëntorit 2019, duke cituar 17 nëntorin si datën më të mundshme.

Kjo sugjeron që patogjeni mund të ketë qenë në qarkullim para se të arrinte në tregun e Wuhan, përmes infeksioneve sporadike, para shpërthimit.

Prandaj infeksionet e para jashtë Kinës kanë ndodhur në Japoni rreth 3 Janarit, në Spanjë më 12 Janar dhe në SHBA rreth 16 Janarit.