Edona Bilali ishte padyshim surpriza e Partisë Socialiste në Shkodër, ndërkohë që ishte e para në listë. Por duket se Bilali ka sjellë pakënaqësi mes socialistëve shkodranë.

Kështu, një grup socialistësh në Shkodër i kanë nisur një shkresë, kryeministrit Edi Rama, kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla dhe ambasadores amerikane Yuri Kim.

Fillimisht ata kanë shprehur indinjimin për mënyrën sesi u hartuan listat, ku u lanë jashtë figura të rëndësishme të partisë dhe me kontribute në vite. Gjithashtu, ata dënojnë ashpër veprimet e deputetes së zgjedhur dhe Tom Doshit.

“Na del një Edona Bilali pa marrë mandatin kërkon të zhbëjë PS-në në Shkodër, të hedhë në kosh punën e sakrificat e brezave që e mbajtën gjallë këtë organizëm në një qytet gjoja anti-komunist, por që është peng i oligarkëve të krimit që gjoja janë bërë “zoti”. Kjo Edona që mori diku 1000 vota, së bashku me Tom Doshin po ndiejnë thelat e pushtetit duke bërë reprezalje në administratë e drejtues socialistë. Tom Doshi po shfrytëzon me dinakëri egon e një çupëline të pamësuar me punët e politikës. Hoqën drejtorin e Hipotekës.Ai nuk ishte  e keqja e atij institucioni. Atë e vunë për të vjehdru një pjesë, një pjesë e çonte te shefi, pjesën tjetër te xhepi,” thuhet në letër.

Socialistët e Shkodrës pretendojnë se Bilali dhe Doshi po heqin njerëz nga puna dhe po punësojnë të afërmit e tyre.

“Hoqën drejtorin e patentave, zotin Çeliku një djalë të shkolluar, familje socialistësh me respekt në shoqëri që sjell vota për PS. Ka emëruar në atë pozicion nipin e vjehrrës së Edonës, inxhinierit të rrugëve pronë e Tom Doshit. S’ka bashkëpunim më perfekt. A thua se kemi votuar për të punësuar njerëzit e saj. Doli një fjalë që flitej se vjehrri i Edonës, mësues fizike ka dalë me bllok në dorë për të punësuar njerëzit e familjes e farefisit, pastaj kush paguan më shumë futet në listë,” theksohet në letër.

Në letrën, në të cilën kanë vënë në dijeni edhe ambasadoren amerikane, socialistët akuzojnë Tom Doshin për blerje votash.

“PSD në Shkodër blen së bashku me LSI-në masivisht votat e shqiptarëve në zgjedhje. Drejtoritë dhe institucionet që ka Tom Doshi janë mbushur me njerëz me precedentë penal të paarsimuar, me dëftesa false e të blera. Kështu po mbrohen tash e 20 vjet disa drejtoresha institucionesh që janë denoncuar për korrupsion”.

Gjithashtu, ata theksojnë se po sulmohen dhe shkarkohen njerëzit e Ilir Beqajt, i cili nuk mundi të merrte mandatin e deputetit në Shkodër.

“Po sulmohen dhe shkarkohen njerëzit e Ilir Beqajt. Mos është shpallur elementi anti-parti si dikur, si agjent dhe i padëshiruar për PS? Këtë e dini ju. Por çdo punë të bërë në Shkodër me një të rënë lapsi po e zhbëjnë dueti Doshi-Bilali. Ne si qytetarë socialistë shkodranë kemi një respekt të veçantë për aftësitë e tij,”shkruhet në letër. g.v/abcnews.al