Pronarët dhe menaxherët e lokaleve, bare, restorante dhe njësi të tjera shërbimi, përmes një letre të firmosur nga disa përfaqësues të tyre, njoftuan sot se kanë vendosur të mbyllin bizneset në shenjë proteste për kufizimet pandemike që kanë mbetur në fuqi.

Ata thonë se duke nisur nga dita e hënë do të mbyllin lokalet e tyre dhe do të dalin në protestë.

Në letër kërkohet që të shtyhet orari i mbylljes, aktualisht 24.00 dhe lejimi i muzikës pas orës 22.00.

Pronarët e lokaleve e cilësojnë situatën si të paprecedentë dhe akuzojnë policinë se me dhunë dhe arrogancë ka ndërhyrë në ditët e fundit në lokalet e tyre duke vendosur gjoba të padrejta.

Ata ankohen se nuk po përballojnë dot shpenzimet dhe me ironi ftojnë kryeministrin që të shkojë në Vlorë dhe të menaxhojë bizneset e tyre.

“Vetëm nga ky kryeministër presim të na vijë të na menaxhojë lokalet dhe menaxherët do i kalojmë në kamarierë dhe me lekët që do fitojmë nga kjo manovër do ja japim atij me besimin që nuk na vjedh dhe nuk na falimenton biznesin. Na vjen turp që të gjitha bizneset e Lungomarës të goditen fort dhe sjellja e policisë është ekstreme”, tha sot një biznesmen në protestën që u zhvillua paradite në Lungomare.

Pronari i një biznesi në Vlorë u shpreh se kryeministri Rama ka qenë klient në lokalin e tij dhe nga e hëna bizneset vlonjate do mbyllen sepse janë dëmtuar shumë. ”Kujtoj një shprehje të kryeministrit në parlament ku tha se, “s’keni parë gjë akoma”, nga e hëna do e shohë ai se ç’do bëjmë ne, sepse na ka dëmtuar shumë.

Unë e kam klient dhe i frekuenton lokalet e mia dhe dua që ai të jetë atje dhe të viojë policia të bjëë të njëjtat veprime, por mbreti i veshpallur nuk ngrihet ai vetëm jep urdhra“, u shpreh një nga biznesmenët.