Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është shprehur i zhgënjyer dhe indinjuar pas takimit të dytë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel. Kreu i shtetit serb deklaroi për mediat se Kurti është kthyer në shekullin e 19-të dhe nuk e di sesi do të vazhdojë procesi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja.

Aty ishin tri pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht. Serbia pranoi plotësisht dhe pa asnjë vërejtje disa propozime të palës së Kosovës, por shqiptarët nuk dëshironin.

Është veçanërisht interesante që ata nuk donin asgjë tjetër. Ata kushtëzuan me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë tërheqin emra nga toponimet në Serbi, ju mund të besoni se njeriu pas 150 vjetësh flet për këto. Gjithçka zbret në të njëjtën gjë dikush do ta detyrojë Serbinë të njohë Kosovën”, shtoi ai.

Sipas tij, Kurti kishte zgjedhur të fliste më shumë për të kaluarën. “Njerëzit në BE nuk besojnë në ato që po dëgjojnë. Burri është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, u shpreh Vuçiç. I pyetur nëse pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare, ai u përgjigj “Është shumë e vështirë kur flet me njerëz irracionalë. Është shumë e vështirë. Ai thotë se ata nuk e kuptojnë që kishte krime nga të dy palët, ndërsa Serbia e kupton atë”, tha Vuçiç, shkruan gazeta Ekspres.

Ai tha se ka këmbëngulur për ta diskutuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por që nuk pati përgjigje. “Për më tepër, pala shqiptare deklaron se arkivat e UÇK-së nuk ekzistojnë. Për aq sa përpiqemi ta gjejmë një zgjidhje, nuk ia vlen ta bësh”, tha ai.