Lajmi vjen nga mediat angleze, trondit rëndë Premier League. Të premten në mbrëmje, një lojtar i nivelit më të lartë anglez është arrestuar në rajonin e “Greater Manchester” me akuzat e pedofilisë. Kujdes maksimal dhe i rrallë në këtë moment nga autoritetet, që nuk kanë publikuar detaje dhe emrin e futbollistit. I akuzuari është 31 vjeç, i martuar, lojtar ndërkombëtar që mbron ngjyrat e vendit të tij.

Flitet për dikë, që ka qenë subjekt i transferimeve milionere gjatë karrierës së tij. Klubi i tij, Everton, ka pranuar se e ka pezulluar nga trajnimi deri në përfundim të hetimeve të policisë, pa përmendur emra ose dhënë detaje të çështjes: “Ne do të vazhdojmë të mbështesim autoritetet me hetimet e tyre dhe nuk do të lëshojmë ndonjë deklaratë të mëtejshme në këtë kohë”.

Një burim i brendshëm i policisë thuhet se oficerët zbuluan gjatë kontrollit në shtëpinë e tij “disa objekte si prova, të cilat u sekuestruan. Burri u mor në pyetje në lidhje me krimin shumë të rëndë të kryer ndaj një të mituri”. Gjithashtu, burime policore, të raportuara nga media britanike, raportojnë se lojtari, pas marrjes fillestare në pyetje u la i lirë me kusht në pritje të hetimit të mëtejshëm.

Komentet e para që filtrojnë nga klubi është se dhoma e zhveshjes së evertonit ishte tronditur nga lajmi. Ndërkohë, gazetarë anglezë kanë hetuar dhe kanë konkluduar në emrin e futbollistit, edhe pse nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim për momentin. Flitet për Gylfi Sigurdsson, islandezin që po shkon drejt sezonit të pestë me Everton.