Në një kohë kur varianti Delta po përhapet me shpejtësi në të gjithë globin, zyrtarët e OBSH-së janë ende optimistë se udhëheqësit botërorë mund ta vënë pandeminë nën kontroll vitin e ardhshëm. Pandemia mund të përfundojë më shpejt nëse shtetet sigurohen që vaksinat të shpërndahen në mënyrë të barabartë në vendet e varfra, praktikohet distanca shoqërore dhe financohen në mënyrë adekuate spitalet.

“Varianti Delta nuk do të jetë varianti i fundit shqetësues për të cilin do të na dëgjoni të flasim.”, tha Maria Van Kerkhove, udhëheqësja teknike e OBSH-së për Covid-19.

“Do të doja të thosha se pandemia do të mbarojë këtë vit, por me të vërtetë nuk mendoj kështu.”, u shpreh Dr. Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i programit të urgjencave shëndetësore të OBSH-së. “Nëse jemi me të vërtetë me fat, do ta vëmë nën kontroll vitin e ardhshëm.”

Pandemia do të përfundojë, nëse ecim me ritme të shpejta të vaksinimit. Vendet me norma të larta vaksinimi mund ta shohin përfundimin e pandemisë më shpejt, tha Ryan, duke kritikuar udhëheqësit botërorë për mosndarjen e rezervave të tyre të vaksinave, me vendet e varfra.

Shumë vende të botës po shohin rritje të rasteve, tha Van Kerkhove: “Në shtatë ditët e fundit, në nivelin global, ka pasur një rritje 11.5% të rasteve dhe një rritje prej 1% të vdekjeve.” Javën e fundit, shumë rajone të botës panë rritje infektimesh. Evropa pa një rritje gati 21%, Azia Juglindore 16.5%, rajoni i Paqësorit Perëndimor rreth 30% rritje dhe rajoni i Mesdheut Lindor shënoi një rritje prej 15% të rasteve.