Autoriteti Kombëtar i Ushqimit përgjatë periudhës qershor-korrik në qendrat ushqimore ka asgjësuar 147.742 tonë ushqime, kryesisht produkte mishi në thertore si dhe bulmete, për shkak se janë evidentuar se prodhoheshin dhe tregtoheshin pa plotësuar kushtet higjeno-sanitare të parashikuar nga AKU.

Gjithashtu, kjo instancë ka asgjësuar edhe 33.500 litra lëng frutash i pakonsumueshëm për shkak të cilësisë së ulët, 600 litra birrë dhe 572 kilogramë produkte të ndryshme. Asgjësimet kanë ndodhur në 5741 kontrolle në terren në të gjithë territorin e vendit, prej të cilave 21% janë evidentuar me shkelje.

Për pasojë janë administruar 1115 paralajmërime dhe 1 gjobë me vlerën 650 mijë lek.

Disa nga shkeljet e evidentuara më shpesh ishin:

– Mungesë rinovimi të librezës shëndetësore të personelit

-Mungesë e rinovimit të analizës bakteriologjike të ujit

-Mospërputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore të sigurisë ushqimore

– Mungesë e kushteve higjienike

– Probleme me datat e skadencave të produkteve ushqimore

Në përfundim të këtyre kontrolleve të bëra inspektorët e AKU kanë marrë 767 mostra të produkteve ushqimore të ndryshme në bazë të riskut që ato paraqesin për tu futur në laboratorin e analizave.