Bota është në fazat e hershme të një vale tjetër të infeksioneve dhe vdekjeve nga Covid-19. Kështu tha sot drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Duke folur para anëtarëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Tokio, Tedros tha se dështimi global për të ndarë vaksinat, testet dhe trajtimet po nxit një pandemi me dy drejtime. Vendet që kanë vaksina po hapen, ndërsa të tjerat janë mbyllur në përpjekje për të ngadalësuar transmetimin e virusit.

“Ky nuk është vetëm një zemërim moral, por është edhe vetëshkatërruese epidemiologjikisht dhe ekonomikisht.“, tha shefi i OBSH-së, duke shtuar se sa më shumë që zvarritet pandemia, aq më shumë trazira socio-ekonomike do të sjellë. “Pandemia është një testim dhe bota po dështon.”

Ai paralajmëroi se: “19 muaj në pandemi dhe shtatë muaj që nga miratimi i vaksinave të para, tani jemi në fazat e hershme të një vale tjetër infeksionesh dhe vdekjesh.” Tedros shtoi se kërcënimi global i pandemisë do të mbetet derisa të gjitha vendet të trajtojnë sëmundjen.