Një shqiptar 42-vjeç i arratisur nga burgu, së bashku me një grek 58-vjeç janë arrestuar për grabitjen e një dege të një banke ditën e djeshme në Peristeri, Athinë.

Mediat greke kanë publikuar pamjet e momentit kur shqiptari futet brenda në bankë i maskuar dhe armatosur duke grabitur degën. Shqiptari nën kërcënimin e armës bllokoi arkëtarin dhe mori shumën që gjendej brenda më pas doli duke u arratisur me bashkëpunëtorin e tij grek që po e priste.

Por arratia nuk zgjati shumë. Dy grabitësit u lokalizuan dhe pavarësisht rezistencës u prangosën. Shqiptarit, identiteti i të cilit nuk publikohet iu sekuestruan një pistoletë me mulli, fishekë, një shumë në euro, që grabiti dhe veshjet e përdorura.

Grekut iu gjet një armë, dy hanxharë dhe makina që përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Policia greke thotë se shqiptari ishte arratisur nga burgu në 20 janar të vitit të kaluar, ku po vuante dënimin 28 muaj për vjedhje, rezistencë dhe hyrje ilegale në Greqi.