Marcus Rashford është sulmues, por ka luajtur në mbrojtje javët e fundit për shkak të fyerjeve raciste, lajmeve të rreme dhe sulmeve të tjera mediatike. Humbja e kombëtares angleze në finalen e Europianit kundër Italisë dhe dështimi i tij në njërën nga penalltitë kanë shtuar kritikat për lojtarin.

Rashford postoi një mesazh në Twitter, duke mbrojtur veten kundër akuzave për “përfitime komerciale” nga marrëveshjet me kompanitë, sipas një raporti të botuar nga “The Spectator”. “Sapo dëgjova që një histori se si paskam përfituar komercialisht në 18 muajt e fundit… Për ta sqaruar, nuk kam nevojë të bëhem partner me markat. Unë jam partner, sepse dua të përparoj në punën humanitare që bëj jashtë fushës së lojës”.

Mijëra njerëz reaguan kundër faqes britanike dhe mbështetën gjestin e futbollistit, i cili tregoi se si i ndihmon ata që kanë më shumë nevojë: “Verën e kaluar, 1.3 milionë fëmijë patën akses në mbështetjen me ushqim, përmes marrëdhënies time me ‘Burberry’. Ata fëmijë kanë një vend të sigurt pas shkollës, ku të ushqehen, pas investimit të nëntorit të kaluar… Fëmijët e pambrojtur kanë vende të sigurta për këto pushime verore.

A kam një tërheqje më të madhe komerciale pas humbjes së penalltisë në finale? Jam i sigurt se nuk ndikon fare kjo gjë. Më mjafton që jam futbollist ndërkombëtar për Manchester United dhe Anglinë. Pse gjithmonë duhet të ketë një arsye? Pse nuk mund të bëjmë gjënë e drejtë?”.

Sulmuesi i “Djajve të Kuq” ka pasur mbështetjen e miliona njerëzve, madje është pikturuar edhe një murale me fytyrën e tij në Manchester. Së fundi u gjet një grup tifozësh, që vendosi postera dhe banderola me shprehje të dashurisë ndaj tij.