Vota e një qytetari shqiptar në zgjedhjet e 25 prillit ka vlerën e 85 lekëve. Përcaktimi i vlerës së votës u përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucion i cili ka miratuar këtë të enjte edhe vendimin për shpërndarjen e fondeve për partitë politike që siguruan mandate parlamentare në zgjedhjet e 25 prillit.

Partia Socialiste krahas mandatit të tretë qeverisës që fitoi në këto zgjedhje do të marrë edhe pjesën e “luanit” të fondeve të parashikuara nga Buxheti i Shtetit. 768134 votat që siguroi në zgjedhjet e 25 prillit do t’i sjellin në arka Partisë Socialiste, 650 milionë lekë të vjetra.

Edhe demokratët pritet të mbushin arkat e partisë, ku 622187 votat e marra në zgjedhje do t’i sigurojnë rreth 520 milionë lekë. Pjesëmarrja në koalicion me listën e Partisë Demokratike, duket se do të lërë pa fonde aleatët e Lulzim Bashës. PDIU e Shpëtim Idrizit, Republikanët e Fatmir Mediut, Agrarët e Agron Dukës dhe LZHK e Dashamir Shehit.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor për shpërndarjen e fondeve për partitë politike, aleatët e Bashës e paditën edhe në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë e cila u rrëzua disa javë më parë. Do të jetë vendimmarrja e selisë blu e cila do të përcaktojë nëse aleatët e Bashës do të përfitojnë nga fondi prej 52 milionë lekësh që ata do të marrin apo jo.

LSI pritet të përfitojë rreth 90 milionë lekë, teksa edhe PSD e Tom Doshit me 3 mandatet e fituara në zgjedhje do të marrë rreth 30 milionë lekë. KQZ vendosi të gjobisë ditën e sotme edhe 106 parti të regjistruara në Gjykatë me 1 milionë lekë pasi refuzuan të dorëzonin raportet e tyre financiare, teksa me 50 mijë lekë janë gjobitur 11 parti politike të cilat garuan edhe në zgjedhjet e 25 prillit, por gjithashtu dorëzuan jashtë afateve raportet e tyre financiare.

Shpërndarja
Partia Socialdemokrate (PSD)      35.475 vota                                                      2.2479%
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 107.538 vota                                            6.8143%
Partia Demokratike (Aleanca për Ndryshim) 622.187 vota                              39.4259%
Partia Socialiste e Shqipërisë 768.134 vota                                                          48.6741%