Një i ri shqiptar humbi jetën natën duke gdhirë dita e sotme në një spital në Romë, pasi u godit me thikë në rrugë. Viktima u identifikua në mediat italiane si Atjon Lopci, 26 vjeç.

Emigranti u godit me thikë gjatë një sherri me dy persona, në zonën Ostiense, rreth orës 13:30 të së Premtes. Pas sulmit, autorët, që dyshohet se janë shqiptarë, u larguan. I riu u godit në kurriz edhe bark.

Autorët janë identifikuar nga autoritetet dhe janë shpallur në kërkim për vrasje. Ata janë dy shqiptarë, por identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura ende.

Autorët e goditën pas shpine Lopçin. Ky i fundit u përpoq të largohej dhe ka vrapuar për 150 metra derisa u rrëzua në hyrje të një lokali.

Mediat italiane bëjnë të ditur se shqiptari i plagosur është zvarritur për të dalë pranë sheshit “Gazometro” ku dhe është marrë për tu dërguar në spital.

Aty, i është nënshtruar një ndërhyrje kirigjikale, që zgjati disa orë. Por, goditja me thikë ka rezultuar fatale dhe i plagosuri nuk ka mundur të mbijetojë.

Viktima raportohet se është me precedentë penalë. Sipas asaj që shkruajnë mediat, shkak i vrasjes dyshohet se janë bërë pazaret e prishura të drogës.