Nga Steven A.Cook “Foreign Policy

Kushdo që ka jetuar disa kohë në Uashington, e di se komunikimet midis politikë-bërësve dhe stafit të tyre kanë tendencë që të fillojnë dhe të përfundojnë me pyetjen:“A është i qëndrueshëm ky vend?”. Problemi është se përgjigja për këtë pyetje rrallë është e thjeshtë. Që t’i përgjigjesh me “po” ose “jo”, kjo do të thotë t’i referohesh politikave të bazuara në supozime të gabuara. Kjo është ajo që ndodhi në fundin e vitit 2010, kur ekspertët mbi Lindjen e Mesme i informuan zyrtarët amerikanë se sundimi i presidentit egjiptian Hosni Mubarak ishte i qëndrueshëm dhe se djali i tij Gamal, apo shefi i shërbimit sekret Omar Suleiman, do ta pasonte atë me siguri në krye të vendit.

Sigurisht, asnjë nga ato supozime nuk rezultoi të ishte i vërtetë. Prandaj në vend t’i analizojmë vendet për sa i përket stabilitetit përkundrejt destabilitetit, është më e dobishme analitikisht (dhe interesante njëkohësisht) që t’i qasemi problemit në aspektin e vlerësimit të paqëndrueshmërisë relative të një vendi.

Dhe mbi këtë parametër, vendi që spikat në Lindjen e Mesme është Turqia. Sipas disa dimensioneve, politika turke sot është më e paqëndrueshme se në çdo periudhë gjatë viteve të fundit. Kjo nuk do të thotë se do të ketë një rebelim tjetër si ai që nisi mbi Parkun Gezi gjatë verës së vitit 2013,apo se presidenti Recep Tayyip Erdogan rrezikon të rrëzohet nga pushteti.

Por aftësia e tij për të vendosur dhe ruajtur kontrollin në të gjithë vendin duket e kompromentuar, gjë që rrit perspektivat për protesta në shkallë të gjerë, shtim të dhunës Dhe beteja të forta politike në kupolën shtetërore.

Unë jam mjaftueshëm i moshuar sa të kujtoj kohën kur Erdogan, ish-presidenti Abdullah Gul dhe disa të tjerë midis atyre që ishin asokohe një grup reformatorësh islamikë, themeluan Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në verën e vitit 2001.

Duke u shkëputur me gardën e vjetër islamike të Turqisë, partia e re ofroi një vizion pozitiv mbi të ardhmen bazuar tek devotshmëria, pjesëmarrje e gjerë politike, zhvillimi dhe fuqizimi kombëtare, që rezononte me një grup gjithnjë e më të madh dhe më të larmishëm votuesish, sesa partitë e mëparshme me trashëgimi islamike.

AKP e ndihmoi jo pak fakti që qeveria që zëvendësoi në vitin 2002 kishte ndërmarrë reforma të rëndësishme ekonomike, të cilat ndihmuan në nxitjen e rritjes së ekonomisë për pjesën më të madhe të dekadës së parë të këtij shekulli.

Po ashtu, AKP përfitoi nga fakti që edhe pse nuk fitoi kurrë më shumë se 49.5 për qind të votave të popullit, sistemi zgjedhor turk i dha asaj një shumicë parlamentare, duke mos pasur kësisoj nevojë të krijonte një qeveri me partitë e tjera. Për rrjedhojë, vendi gëzoi një periudhë të stabilitetit politik dhe shoqëror.

Sigurisht, kishte edhe probleme. AKP dhe partnerët e saj, e sfiduan elitën tradicionale laike nacionaliste. Erdogan dhe liderët e tjerë të partisë si Gul, e përshkruan veten dhe partinë që drejtuan si ekuivalentin mysliman të Demokristianëve.

Por ata rezultuan të ishin dukshëm më pak demokratë sesa donin që të besonte bota. Dhe evropianët e humbën mundësinë për ta ndihmuar Turqinë të konsolidonte reformat politike dhe sociale që ndërmori qeveria e AKP-së gjatë viteve të para të saj, kur ngrinë negociatat e anëtarësimit në BE jo shumë kohë pasi ato kishin nisur.

Që nga ajo kohë kanë ndodhur shumë gjëra. Ushtria u përpoq ta pengonte Gul që të bëhej president, prokurorët u përpoqën të nxirrnin jashtë ligjit AKP, zyrtarët zbuluan një komplot për të nxitur dhunën dhe organizuar një grusht shteti për të përmbysur Erdogan. Që të gjitha këto kontribuan në atë që analistët shpesh e quajnë si “kthesa autoritariste” e Erdogan diku rreth vitit 2008.

Në vetvete autoritarizmi i Erdogan nuk e bëri Turqinë të paqëndrueshme. Ai nuk ishte dhe nuk është Zine El-Abidine Ben Ali i Tunizisë. Lideri turk ka një bazë të fortë mbështetësish, gjë që ka kontribuar në stabilitetin e Turqisë.

Atëherë, kur nisi Turqia të bëhej e paqëndrueshme? Është e vështirë të identifikosh një moment të vetëm. Tek e fundit, paqëndrueshmëria është një vazhdimësi. Thënë kjo, duket se protestat në Gezi Park në vitin 2013 janë një vend i mirë për t’ia filluar, pasuar nga një skandal korrupsioni në fund të atij viti, që solli një spastrim masiv të pasuesve të klerikut Gulent nga qeveria, media dhe arsimi i lartë në vitin 2014.

Pastaj në vitin 2015 shpërtheu sërish lufta me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, së bashku me përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve po atë vit. Pastaj pati një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016, një krizë ekonomike në vitet 2018-2019, dhe së fundmi pandemia e koronavirusit në vitin 2020.

Dikush mund të heqë një vijë të drejtë nga njëra tek tjetra ngjarje. Dhe së bashku ato mund të përfaqësojnë një prishje të vizionit të AKP-së. Ato pasqyrojnë dështimin e kësaj partie për të zgjeruar pjesëmarrjen politike, për të krijuar një shoqëri më të zhvilluar, për të kuptuar potencialin e Turqisë si një fuqi e madhe, dhe për të institucionalizuar vlerat fetare që do të nxisin një qeverisje akoma më të mirë, si dhe për të ndihmuar në kapërcimin e ndarjeve sociale.

Të paktën gjatë gjysmë dekadës së fundit, shtypi i dominuar nga AKP është përpjekur të bindë turqit se për çfarëdolloj hendeku midis premtimeve të dikurshme dhe realitetit aktual,faji është i dikujt tjetër:bankierët ndërkombëtarë, CIA, sionistët, Gulen, Emiratet e Bashkuara Arabe, profesori Henri J.Barkey etj.

Sigurisht, jo të gjithë i kanë besuar këtyre alibive. Por ka pasur ndërkohë jo pak rreziqe nga të folurit kundër AKP. Nuk ka pasur asnjëherë një hetim të paanshëm – që është i pamundur në rrethanat aktuale -ndaj mbeten shumë pyetje rreth grushtit të shtetit të dështuar të korrikut 2016.

Cilido që guxon të vërë në dyshim narrativën zyrtare në lidhje me fajësinë e Gulenistëve, mund të përballet me forcën e madhe të qeverisë turke, duke u burgosur, shpronësuar, duke përjetuar shkatërrim të familjes, dhe ata që janë me fat dhe arratisen kanë një frikë të vazhdueshme nga ndëshkimi nga ana e shërbimit sekret turk.

Gjatë muajve të fundit, Sedat Peker ka bërë bujë me një seri videosh të publikuara në

YouTube, të cilat përmbajnë akuza të rënda ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë Ministrin e Brendshëm, për lidhje me trafikun e drogës, vrasjet dhe korrupsionin.

Peker – një figurë e njohur e mafies turke – nuk e ka përmendur direkt Erdoganin, por ai

ka lënë të kuptohet se në këto aktivitete është i përfshirë edhe udhëheqësi turk. Akuzat e Peker, të cilat mbeten kryesisht të pabazuara në fakte, e kanë tronditur Turqinë.

Me komprometimin e vizionit të AKP-së, Erdogan është detyruar të mbështetet gjithnjë e më shumë tek patronazhi dhe imponimi për të ruajtur pushtetin e tij. Por të dyja janë të shtrenjta dhe të fundme. Ky lloj mjedisi politik fton futjen në skenë të rivalëve.

Disa janë të dobët, si ish-kryeministri Ahmet Davutoglu dhe ministri dikur i respektuar i Ekonomisë, Ali Babacan. Ata mund të kenë aftësinë t’i heqin disa vota AKP-së. Por me shumë pasoja do të jenë manovrimet e zyrtarëve si ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar; rivalit të tij në Organizatën Kombëtare të Inteligjencës Turke, Hakan Fidan; dhe komandantit të forcave tokësore, gjenerali Umit Dundar.

Ata janë sot për sot njerëzit e afërt të Erdoganit. Por çfarë ndodh kur presidenti, pa një vizion që garanton besnikërinë e njerëzve, e vë në rrezik kohezionin shoqëror? A mund të sigurohet dominimi i vazhdueshëm i Erdogan dhe AKP përmes forcave gjithnjë e në rritje? Kjo lloj pasigurie, krijon shanse për njerëz të fuqishëm dhe ambiciozë. Trajektorja politike e Turqisë nuk është aspak e qartë. Përkundër të gjitha sfidave me të cilat përballet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim mbetet organizata e vetme politike më popullore në vend dhe Erdogan personi më i fuqishëm. Ekonomia mund të rimëkëmbet, dhe Erdogan mund t’i fitojë shumë lehtë zgjedhjet e tjera. Kjo është arsyeja se pse kur njerëzit më pyesin nëse Turqia është e qëndrueshme, unë shpesh them:“Po dhe Jo”.

Shënim: Steven A.Cook është kolumnist në “Foreign Policy”, dhe bashkëpunëtor për studimet mbi Lindjen së Mesme dhe Afrikën në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.