Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gadishullin e Karaburunit.

Burime bëjnë me dije se në Karaburun, janë duke u djegur hektarë të tëra me bimësi, shkurre dhe pemë të ndryshme në zonën e Bristanit drejt Ravenës. Edhe pse një terren shumë i rrezikshëm kanë shkuar në vendgjarje punonjës dhe specialistë të zonave të mbrojtura.

Ndërkohë që janë njoftuar dhe zjarrfikësit. Situata është problematike pasi flakët e zjarrit janë të ndihmuara dhe nga era, ndërsa mësohet se është kërkuar ndërhyrja e ushtrisë.

Bëhet me dije se zjarri ka përfshirë edhe Kaninën dhe forcat zjarrfikëse ndodhen aty, ndërsa në Karaburun nuk ka forca zjarrfikëse, pasi zona është pjesë e administrimit të ndërmarrjes së zonave të mbrojtura.

Në Karaburun janë duke luftuar me flakët 8 punonjës të zonave të mbrojtura dhe disa çobanë.