Nga Spartak Ngjela

Korrupsioni i lartë shtetëror është një e keqe e madhe, në dhe për çdo vend ku ai kalon.

Dhe ja pyetjet që ngrenë shqiptarët sot:

Çfarë do të bëjë SPAK për reformën anti-korrupsion në Shqipëri ?

A është i vendosur SPAK t’i shpëtojë shqiptarët dhe Shqipërinë nga e keqja që i ka pllakosur në dekada?

Kurrë mos e mendoni korrupsionin dhe grabitjen në sistem, që po sundon sot në Shqipëri, një fenomen të lehtë të së keqes, se kjo, në të vërtetë, është një e keqe shumë e madhe. Lufta kundër së keqes, e cila e ka pushtuar një shoqëri për dekada të tëra, sikundër që ka pushtuar sot edhe shqiptarët, nuk është një vepër e lehtë: historia na ka mësuar që, kjo e keqe, është shumë e vështirë për t’u mposhtur, sepse keqbërësit drejtojnë shtetin dhe kanë forcën e tij në duart e tyre .

Po le ta fillojmë analizën tonë me Sokratin.

l.

Ja çfarë na tha Sokrati në apologjinë e tij të famshme, gjatë gjyqit që e dënoi atë me vdekje, në vitin 399 p.k.:

“O qytetarë! Njeriu ndoshta nuk e ka të vështirë të shpëtojë nga vdekja; por shumë e vështirë është për të që të shpëtojë nga e keqja, sepse ajo vepron më shpejt se vdekja”

Dhe e keqja për të cilin ai foli, ishte korrupsioni i lartë shtetëror – dhe, prandaj, e keqja, sigurisht që, për fatin e tij të keq, veproi më shpejt se vdekja…

Megjithatë, shqiptarët sot po e presin shpëtimin nga e keqja korrupsion.

Por, në këto momente na duhet të theksojmë se, për të larguar të keqen që ka pllakosur një shoqëri, duhet të krijohet energji morale.

Çelsi i suksesit, është energjia morale, term ky i konceptualizuar nga Weber dhe Durkheim, dy filozëfë të mëdhenj te etikës, që e trajtuan energjinë morale si një motivim të brendshëm të individit dhe si një aspiratë të shoqërisë për të mposhtur të gabuarën. Dhe kjo, gjithmonë në funksion të së drejtës, dhe me anë të principit të së vërtetës. E keqia duhet të ndëshkohet me një ligj të drejtë. Dhe ky, realisht është një proces i një moraliteti të lartë.

ll.

“E keqja vepron më shpejt se vdekja”, na tha Sokrati ditën e fundit të jetës së tij. Prandaj, goditja e saj shoqërore është një proces i rreptë ligjor, për të shpëtuar shoqërinë e për ta çuar atë drejt prosperitetit.

Moraliteti i lartë, kur vendoset me proces ligjor në një shoqëri, brenda këtij procesi, realisht krijohet një energji e madhe morale, por kjo energji, atje ku sundon e keqja, ka një kusht të sajin: ajo duhet të gjejë rrugën e përshtatshme të veprimit të saj energjitik.

Ja, kjo na duhet sot më shumë se çdo gjë tjetër ne shqiptarëve.

Prandaj…

Korrupsioni shtetëror, që ka rraskapitur shqiptarët, shkatërrohet vetëm me dënimin e keqbërësve nëpër procese gjyqësore, të drejtë dhe të moralshëm. Dhe, nëse po flasim për energji morale, pikërisht kjo është energjia morale që i jepet shoqërisë; sepse, kur sheh dënimet e keqbërësve të saj, shoqëria krijon optimizëm dhe aspiratë për drejtësi. Ky optimizëm dhe kjo aspirat, do të krijojë edhe te ne, historinë normale të Shqipërisë

Pikërisht këtë po presin shqiptarët sot nga SPAK dhe nga politika amerikane që po drejton me ekspertizë reformën antikorrupsion në Shqipëri.

Dhe shqiptarët po presin..