“Si mund të fitojë një terrorist medalje olimpike? Është absurde dhe qesharake”. Këto janë akuzat e ashpra të koreanit Jin Jong-oh, i eliminuar në kualifikueset e Olimpiadës së Japonisë, ndaj fituesit të medaljes së artë në garën e pistoletës së ajrit 10 metra, Javad Foroughi.

Fjalë të lëshuara në kthimin e tij në Seul nga Jong-oh, katër herë kampion olimpik në pistoletë (medalje ari në 50 metra te “Pekin 2008”, “Londër 2012” dhe “Rio 2016”, si dhe 10 metra ari më 2012, edhe dy medalje argjendi), që i referohen qartë kampionit të ri iranian në “Tokyo 2020”, i cili militon në Trupat e Gardës të Revolucionit Islamik.

Një organizatë kjo që në vitin 2019 u akuzua për terrorizëm nga SHBA. Fjalët e Jin Jong-oh, të raportuara nga “Korea Times”, ndjekin ankesat e “United for Navid”, shoqatës iraniane të të drejtave të njeriut:

“Ne e konsiderojmë dhënien e medaljes së artë olimpike për Javad Foroughi jo vetëm një katastrofë për sportin iranian, por edhe bashkësinë ndërkombëtare, mbi të gjitha për reputacionin e IOC. Foroughi ka qenë prej kohësh anëtar i një organizate terroriste”.

IOC, e vënë nën akuzë në këtë rast, iu ka kërkuar aktivistëve që t’i sjellin prova që qitësi Javad Foroughi është anëtar i organizatës “Rojet e Revolucionit”. Sportisti iranian, në podium bëri përshëndetjen ushatarake. Ai ka deklaruar më herët se ka mësuar të qëllojë më armë kur ishte infermier në spital.