Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se iniciativa e mini-Shengenit që të enjten mori emër të ri duke u quajtur “Ballkani i Hapur” është tendencë e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë dhe Kinës.

Pasi u pyet nga gazetarët për takimin e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të enjten në Shkup, Kurti shtroi pyetjen se për çfarë do të jetë i hapur Ballkani.

“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha ai.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kreu i Ekzekutivit tha se për sa kohë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, duket tendenca e tij që Ballkani të jetë i hapur për fuqitë nga Lindja, sidomos për Federatën Ruse, por edhe për Kinën.

“Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’ pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha ai.

Këto komente Kurti i bëri pas vizitës në ekspozitën e librave të vjetër dhe shtypit të kohës gjatë demonstratave të vitit ’81, në veçanti atyre që i referohen figurës së Ukshin Hotit.

Kurti, mori pjesë në bashkëbisedimin me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj në Teatrin Kombëtar, me ç’rast edhe u promovuan librat e tij: “Ca kokrra rrushi nga Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Vrasja e Mushkonjës”.