Stina e verës, aq e pëlqyer, shoqërohet shpesh me temperatura të larta, zagushi e lodhje fizike. Temperatura e trupit tonë rritet si nga faktorë të jashtëm (kur është nxehtë), dhe nga vetë metabolizmi ynë.

Megjithatë trupi ka mekanizma vetërregullues të temperaturës (termorregullimi) së brendshme, duke e ruajtur atë në vlera të qendrueshmë 36-37oC, në mënyrë që të gjithë mekanizmat fiziologjikë thelbësorë për jetën të kryhen në mënyrën e duhur.

Ruajtja e temperaturës së brendshme kryhet përmës zgjerimit të enëve të gjakut apo djersitjes, duke eliminuar nxehtësinë e tepërt. Zgjerimi i enëve të gjakut sjell rënie të presionit të gjakut, duke na bërë të ndihemi më të lodhur e të kemi dhe fryerje të këmbëve.

Nga ana tjetër dhe djersitja shërben për të ulur temperaturën. Djersa përbëhet nga ujë (99%), kripëra minerale dhe lëndë të tjera organike. Nëse nuk zëvendësohet sasia e ujit që humbasim përmes djersitjes, atëherë mund të kalojmë në dehidrim, i cili sjell lodhje muskulore, vështirësi në përqendrim, rënie të presionit të gjakut.

Kur bën shumë nxehtë dhe ka shumë lagështirë në ajër, mekanizmat e mësipërm mund të mos jenë të mjaftueshëm për të mbajtur konstante temperaturën e trupit.

Çfarë të bëjmë?

Qëndroni të freskët:

Vishni rroba të gjera, me ngjyrë të hapur, prej pambuku.

Qëndroni në ambiente me ajër të kondicionuar sa më shumë të jetë e mundur. Nëse nuk keni mundësi, bëni dush me ujë të vakët sa më shpesh.

Kufizoni, kur është e mundur, daljet në oraret kur bën shumë nxehtë gjatë ditës.

Përdorni krem dielli, pasi dhe djegiet nga dielli kufizojnë aftësinë e trupit për të përballuar temperaturat e larta.

Shmangni konsumin e ushqimeve të rënda e të nxehta.

Hidratohuni

Konsumoni ujë dhe atëherë kur nuk keni etje.

Shmangni konsumin e pijeve me sheqer  apo pijeve alkolike, pasi ato mund të sjellin humbje të mëtejshme të lëngjeve nga trupi.

Zëvendësoni kripërat minerale që humbisni përmës djersitjes duke konsumuar pije të freskëta e duke ngrënë ushqime me përmbajtje të lartë uji.

Informohuni

Qëndroni të informuar mbi parashikimin e motit, në mënyrë që të merrni masa paraprake parandaluese.

Tregoni kujdes të veçantë për individët më të rrezikuar si:

– fëmijët deri në 4 vjeç,

– të rriturit ≥ 65 vjeç,

– Individët që janë mbipeshë

– të sëmurët kronikë