Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, është duke monitoruar situatën nga zjarret në jug ku dhe dëmet janë më të mëdha.

Mbrëmjen e kaluar në mesnatë, ministri i Mbrojtes, Niko Peleshi mblodhi Komitetin e Mbrojtjes Civile.

Një reagim i vonuar teksa shtëllunga tymi nëpër disa vende të Shqipërisë kishin mbuluar qytete. Si të mos mjaftonte kjo, Peleshi postoi edhe një video ku përdoreshin kova me ujë për të shuar flakët por që më pas e fshiu.

Pasi lajmëroi për shuarjen e vatrave të zjarrit në Gjirokastër mëngjesin e sotëm përmes një statusi në Facebook, gjë që më pas nuk rezultoi me sukses, pasi një tjetër vatër u ndez në mesditë, ministri Peleshi u shfaq në Dukat të Vlorës.

Duke ndjekur nga afër operacionin për shuarjen e zjarrit, ai u shfaq krah kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, me të cilin dihet që kryeministri ka një “luftë të hapur”.

Teksa Peleshi fliste për mediat, Leli qëndronte në cep të kamerës. Pyetja është se si do të reagojë kryeministri Rama këto pamje?