Të paktën dy persona kanë humbur jetën, si dhe 50 të tjerë janë lënduar nga përplasja e dy trenave të pasagjerëve në jugperëndim të Republikës Çeke.

Zëdhënësja e Njësisë së Shpëtimit të Rajonit Plzen, Maria Svobodova, në deklaratën për mediat vendase tha se dy trenat e pasagjerëve janë përplasur në fshatin Milavce të qytezës Domazlice.

Ajo tha se sipas vlerësimeve të para në aksident kanë humbur jetën 2 persona, ndërsa të paktën 50 pasagjerë prej të cilëve 7 në gjendje të rëndë janë lënduar.

Nga Hekurudhat e Çekisë njoftuan se aksidenti ka ndodhur në orën 08.00 me kohën lokale, duke shtuar se ka nisur hetimi lidhur me përplasjen. Në rajon janë dërguar shumë ambulanca dhe ekipe të shpëtimit.

Ministri i Transportit i Çekisë, Karel Havlicek, tha se me një mundësi të madhe treni i pasagjerëve që ka ardhur nga Gjermania nuk e ka vërejtur sinjalin për të ndaluar dhe se kjo mund të ketë shkaktuar aksident.