Kompania më e madhe e prodhimit të vaksinave kundër COVID-19, Pfizer BioNTech, ka lëshuar një urdhëresë për punonjësit e saj që të vaksinohen.

Zyrtarët e kompanisë thanë se në të kundërt, ata që refuzojnë të marrin vaksinën, do të detyrohen që të testohen çdo javë.

Në këtë mënyrë shtohen pikëpyetjet mbi vaksinën dhe efektivitetin e saj në kushtet kur edhe vetë punonjësit e kompanisë, në një pjesë të tyre nuk kanë pranuar ta marrin vaksinën.

Në 2020, Pfizer, vetëm në SHBA numëronte 29 mijë e 500 punonjës. Përfaqësuesja e kompanisë, Pamela Eisel, tha se Pfizer ndërmori këtë nismë në mënyrë që të “mbrojë shëndetin dhe sigurinë e kolegëve dhe komuniteteve që ne i shërbejmë”.

Punonjësit që kanë një sëmundje ose kundërshtim për arsye fetare do të jenë në gjendje të mos e injektojnë vaksinën, por do të testohen çdo javë.

Sa i përket stafit të Pfizer jashtë SHBA, kompania tha se do t’i nxisë ata të vaksinohen në vendet e tyre.