Ndonëse flakët e kanë ulur pak intensitetin, sërish situata në fshatrat Gjormë dhe Gumenicë mbetet mjaft kritike.

Në të dy fshatrat janë djegur disa banesa, raportohet për ndërtesa të vjetra, ndërsa në rrezik janë edhe të tjera shtëpi.

Autoritetet thonë se pas rastit të vdekjes dhe plagosjes dy ditët e fundit, sot nuk ka patur persona të lënduar.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i ka bërë thirrje Policisë që t’i largojë banorët edhe me forcë nëse është e nevojshme.

“Kemi patur prekje banesash, por deri tani, sipas informacioneve që kemi, kanë qenë fshati Gjormë, ku nuk raportohet të ketë patur banorë, dhe në fshatin Gumenicë janë shtëpi të vjetra.

Po përpiqemi të shmangim përfshirjen e shtëpive në fshatin poshtë. Po vijojmë edhe me evakuimin.

Bëj apel që ata që kanë mundësi të na ndihmojnë për të evakuuar. Njerëzit të japin ndihmën e tyre. Nuk kemi lëndime në njerëz dhe urojmë që edhe kjo vatër të mbyllet pa lëndime në njerëz.

Sot nuk mund të flitet për vendosje totalisht në kontroll për shkak dhe të erës. Banorët nga fshati duhen larguar edhe me forcë.

Duhet punuar deri në fund për të evakuuar banorin e fundit. Policia t’i evakuojë edhe me forcë. Do fillojmë ndërhyrjen me helikopterët holandezë. Na ka ofruar bashkëpunim edhe Zvicra”, tha Peleshi.