Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për mediat, foli për shpalljen “non grata” si edhe qëndrimet e ambasadores së SHBA-së Tiranë, Yuri Kim ndaj tij.

I pyetur nëse kreu i PD, Lulzim Basha ka kërkuar largimin e tij, ish-kryeministri theksoi se jo vetëm Basha, por asnjë institucion i Shqipërisë nuk mundet të bllokojë hyrjen në parlament të një deputeti të votuar nga zgjedhësit shqiptar.

Berisha tregon se lideri i PD-së Lulzim Basha në takimet ne ambasadoren Kim, i ka kërkuar të paraqesë faktet apo dokumentet që disponon, por që si përgjigje ka marrë, -” faktet janë por nuk mund ti bëjmë publike”.

“Unë nuk kam grup tjetër parlamentar përveç grupit të Partisë Demokratike. Një po mbeti ai do të jem unë, ky është betimi solemn i demokratëve. Sigurisht kam biseduar me zotin Basha. 

Ai më ka njoftuar se në mënyrë të përsëritur se i ka kërkuar ambasadores të paraqesë një provë, fakt apo dokument dhe Kim është përgjigjur- i kemi, por nuk mund t’i paraqesim. 

Në këtë mënyrë unë them se mund të shkatërrosh çdo opozitë. Basha dhe asnjë institucion i Shqipërisë nuk mundet të bllokojë hyrjen në parlament të deputetit të votuar nga zgjedhësit shqiptar. PD u akuzua se ka marrë fonde ruse, ju kujtoj se paraardhësi i kësaj zonjës, më erdhi me një dosje në zyrë me të cilën donte të provonte se Basha kishte pranuar financime rus, por dosja kishte shkrime të gazetës së sponsorizuar në Xhorxh Soros. 

Pra jo vetëm që nuk provonin asgjë përveç trillimeve, por u thoshte deputetëve të PD shkoni tek Berisha se u kemi dhënë dokumente se kryetari ka marrë financime ruse dhe kur ata vinin tek unë, mbesnin pa mend”, tha Berisha.

Më tej Berisha është shprehur i bindur se do t’i qëndrojë deri në fund vendimit të tij dhe se vetëm transparenca do të jetë ajo e cila mund ta bëjë atë ndryshojë qëndrim, duke theksuar se Partia Demokratike është ndërtuar në dy parime themelore, interesi kombëtar dhe liritë e të drejtat njerëzore dhe se sipas tij, kjo parti politike do të jetojë sa të jetojnë vlerat e këtyre dy parimeve.