Ata dështuan në tentativën e tyre për të fituar lirinë, por duket se një fakt i tillë nuk u bën përshtypje Arbër Çekajt, Lulzim Çepeles dhe Fatmir Pjetrit, të cilët e kanë marrë me shumë sportivitet paraqitjen para trupit gjykues për masën e sigurisë.

I pari në sallë u fut Arbër Çekaj, i cili qeshte vazhdimisht, ndërkohë që pas tij u ul Fatmir Pjetri. Duke qenë në një vend ku dukej pak, Çekaj nuk ngurroi ta prezantojë me bujë Pjetrin para kamerave, ndërkohë që qeshnin të dy, ndërsa më pas ulet edhe Lulzim Çepele. Ky i fundit ngre dy gishtat lart.

Tentativa e arratisjes

Gjatë momentit kur Çekaj dhe Pjetri do të përpiqeshin të largoheshin, një i paraburgosur ka tentuar të presë damarët e dorës, duke tërhequr kështu vëmendjen e forcave të sigurisë të cilat po merrnin masa për ta shoqëruar në spital për të marrë shërbimin e duhur shëndetësor.

Duke shfrytëzuar këtë situatë, Çekaj dhe Pjetri kanë tentuar të arratisen. Gjithçka ka ndodhur gjatë orarit të ajrimit, ndërsa janë përpjekur të largohen nga pjesa e pasme e burgut. Mirëpo, plani i tyre ka rezultuar pa sukses, pasi janë pikasur nga roja e derës së jashtme.

Gjatë tentativës për të dalë ata kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore.

Letra e plotë

Nuk kam goditur asnjë polic. I ndikuar nga gjendja psikologjike për shkak të burgosjes së babait, kam ndjekur në mënyrë instiktive Fatmir Pjetrin kur e kam parë duke u larguar. Nuk ka qenë meritë e policisë ndalimi im, por kur jam kthjelluar se kjo nuk është zgjidhje, kam ndaluar.

Unë nuk jam kriminel dhe respektoj ligjet e shtetit, në të kundërt tani do të ishte larguar në Dubai apo ndonjë shtet tjetër. Në qoftë se do isha kriminel, do ishte duke pirë kafe në Kosta Rika.
Ka segmente të caktuara të shtetit që po punojnë kundër familjes Çekaj. Unë jam thjesht viktimë.

Plani i arratisjes ishte i Fatmir Pjetrit. Unë qenë me kafe në dorë kur e kam parë të largohet, e kam ndjekur pa e ditur se ku do të shkonte”.