Menjëherë pas bërjes publike të miratimit të kryeministrit për strehimin e afganëve, ditën e sotme ka nisur puna për ndërtimin e vendbanimit të tyre në Shqipëri. Nga marrëveshja dypalëshe, Shqipëri-NATO, përcaktohet se në vendin tonë do të pranohen vetëm ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të NATO-s. Sipas Report TV, dy qytetet ku do të strehohen afganët janë Tirana dhe Durrësi dhe fillimisht pritet të mbërrijnë 350 persona. Pak minuta më parë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se vendi jonë është gati që të presë qinda afganë.

“Shqipëria është gati të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkruan Xhaçka. Dje kryeministri Edi Rama u shpreh se afganët që do strehohen në Shqipëri vijnë nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste. “Është e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara. Dhe padiskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria!

Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje. Ne nuk jemi të pasur, por s’jemi as pa kujtesë, as pa zakone, as pa moral dhe është në nderin tonë t’u gjendemi të tjerëve, siç të tjerë na janë gjendur ne, po sidomos të mos u kthejmë kurrizin hallexhinjve të huaj, siç shpesh na e kthyen ne dikur, kur ishim të huaj hallexhinj. Kjo është arsyeja morale pse ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, ne kemi mikpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit. Kujt nuk është dakord me gjithë sa thashë për këtë lajm, i them me keqardhje se kjo nuk e ndryshon qëndrimin tim e të shumicës qeverisëse në emër të Shqipërisë.

Shqipëria nuk është e salltanetit të atyre që hidhen për të në flakën e ndezur nga egërsia dhe padija e kinse patriotizmit”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama. Në postimin e tij, kryeministri Rama tha një ditë më parë se në Samitin e NATO-s ka qenë pikërisht ai, që ka ngritur shqetësimin për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani. “Thashë në samit se pas tërheqjes së ushtrive të saj, bashkësia e qytetërimit demokratik të NATO-s nuk mund t’i lerë në mëshirën e barbarëve triumfatorë, njerëzit e ekspozuar si mbështetës të afërt të misioneve paqeruajtëse atje. Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës, të cilën të gjitha vendet e NATO-s duhet ta ndajnë mes tyre. Kjo është bindja ime, jo vetëm si njeri i një populli që ka shpëtuar hebrenjtë nga nazistët e shekullit të XX, po edhe si kryeministër i një vendi që i njeh mirë të dyja anët e medaljes, qoftë kur të lënë vetëm në duart e një regjimi xhelatësh në atdheun tënd, qoftë kur kërkon një jetë të re si i huaj në vendet e të tjerëve”, shkruan ai më tej. Vendimi i qeverisë mori “OK” edhe nga Basha, ndërsa presidenti Ilir Meta nuk ka reaguar ende.