The Guardian ka botuar intervistën tronditëse me një studente afgane, bota e së cilës po shembet për shkak të kthimit të talebanëve. Studentja 24-vjeçare, e cila e di mirë se fati i saj tanimë është vulosur, tregoi sesi ka qenë jeta e saj nga dje, kur talebanët hynë në Kabul.

Rrëfimi tronditës i 24-vjeçares:

“Herët në mëngjes po shkoja për në universitet për mësim, kur një grup vajzash ikën nga konvikti. I pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe njëra prej tyre më tha se policia i kishte përzënë sepse talebanët kishin mbërritur në Kabul dhe do të rrihnin të gjitha gratë e vajzat që nuk mbanin burka. Të gjitha donim të shkonim në shtëpi, por nuk mund të përdornim transportin publik. Shoferët nuk na lanë të hipnim në makinat e tyre sepse nuk donin të merrnin përgjegjësinë për transportin e një gruaje. Ndërkohë, burrat që qëndronin rreth nesh qeshnin dhe bënin shaka me frikën tonë. “Shkoni dhe vishni burkën.”,- bërtiti njëri. “Këto janë ditët tuaja të fundit në rrugë.”,- tha një tjetër. “Unë do të martohem me katër prej jush brenda një dite.”,- tha një i tretë.

Ndërkohë që zyrat qeveritare filluan të mbyllen, motra ime vrapoi disa kilometra për t’u kthyer në shtëpi.

Fika kompjuterin, dola nga zyra me lot dhe u thashë lamtumirë kolegëve të mi. E dija që ishte dita e fundit e punës. Unë jam diplomuar në universitetet më të mira në Afganistan. Unë do të diplomohesha në nëntor nga Universiteti Amerikan i Afganistanit dhe Universiteti i Kabulit, por këtë mëngjes gjithçka ndryshoi para syve të mi.

Kam punuar kaq shumë ditë e natë për të qenë kjo që jam sot dhe këtë mëngjes kur u ktheva në shtëpi, gjëja e parë që unë dhe motrat e mia bëmë ishte fshehja e ID-ve, diplomave dhe certifikatave tona. Ishte katastrofike. Pse të fshehim gjërat për të cilat duhet të jemi krenare? Në Afganistan tani nuk na lejohet të njihemi ashtu siç jemi. Si grua, ndjej se jam viktimë e kësaj lufte politike të filluar nga burrat. Ndjeva se nuk mund të qeshja më me zë të lartë, nuk mund të dëgjoja më këngët e mia të preferuara, nuk mund të takoja më miqtë e mi në kafenenë tonë të preferuar, nuk mund të vishja më fustanin tim të preferuar të verdhë apo të lyeja buzët me buzëkuqin tim të preferuar ngjyrë rozë. Dhe nuk mund të shkoj më në punë ose të marr një diplomë universitare.

Më pëlqente të rregulloja thonjtë. Sot, teksa po shkoja në shtëpi, hodha një vështrim në një sallon bukurie ku po shkoja për të bërë thonjtë. Pjesa e përparme e dyqanit, më parë e mbuluar me fotografi të bukura vajzash, ishte zbardhur. Gjithçka që pashë rreth meje ishin fytyrat e frikësuara të grave dhe fytyrat e shëmtuara të burrave që i urrejnë gratë, të cilëve nuk u pëlqen të arsimohen, të punojnë dhe të kenë liri. Në vend që të qëndrojnë pranë nesh, ata qëndrojnë pranë talebanëve dhe u japin atyre edhe më shumë fuqi.

Afganët sakrifikuan veten për lirinë e vogël që kishin. Si jetime thurja qilima që të studioja. Unë u përballa me shumë sfida financiare, por kisha shumë plane për të ardhmen time. Nuk e prisja që gjithçka të përfundonte kështu.

Tani më duhet të djeg gjithçka që kam arritur në 24 vitet e jetës sime. Posedimi i çdo identiteti ose çmimi nga Universiteti Amerikan është i rrezikshëm tani. Edhe nëse i mbajmë, nuk mund t’i përdorim. Nuk ka punë për ne në Afganistan.”