Rritja alarmante e personave të prekur nga Covid-19 në vend, për momentin nuk do ta zbrazë Ohrin dhe Strugën. Krahas turistëve që për momentin gjendjen në këto dy pika turistike, vërehen edhe turistë të tjerë që vijnë. Ata me të cilët biseduam thonë se nuk kanë frikë, por se i shmangin tubimet. Objektet gastronomike dhe plazhet janë përplot ndërsa gjatë mbrëmjes, Çarshia është e stërmbushur.

“Unë e kam kaluar koronën. Jam vaksinuar dy herë dhe jam mirë. Por, çfarë të ndodh, le të ndodh. Nuk dihet çfarë mund të ndodh me këto gjëra. Pse të kem frikë”.

“Jemi nga Beogradi. Do të qëndrojmë 15 ditë. Nuk do të shkojmë para kohe. Nuk kemi frikë. Edhe atje te ne është situatë e njëjtë. Ndjehem sigurt këtu. Nuk ka probleme. Por, do të ishte mirë të gjithë të vaksinohen. Kemi ardhur të vaksinuar dhe nga ky aspekt, ndjehemi të sigurt”.

“Këtu jam tre muaj dhe do të qëndrojë edhe një muaj. Jam vaksinuar dy herë. Gjatë natës nuk dal shkaku i tubimeve, dal vetëm gjatë ditës”.

“Ruhem aq sa mundem dhe i respektoj masat. Por më tremb. Uroj që të ketë më pak të infektuar. Duhet të ketë masa më të forta. I shmang turmat. Mendoj se nevojiten masa më serioze. Pra, nuk do t’i ndërprisni pushimet? Epo jo. Shmangi vende të tilla”.

Por, hotelierët thonë se masat e reja kufizuese, si dhe rritja e numrit të pacientëve, po çojnë në anulimin e disa prej aranzhimeve. Ata mendojnë se e gjithë situata do të ndikojë seriozisht në pjesën tjetër të sezonit turistik.

Normalisht që ndikon. Kemi disa paralajmërime për anulime, veçanërisht nga grupet e huaja që kishim, sepse po aplikohen masa dhe rregulla të reja. Të gjithë jemi të befasuar nga situata. As vetë nuk e dimë si do jenë protokollet, sepse një pjesë duhet të jenë të vaksinuar, ndërsa mysafirët që qëndrojnë mund të jenë të pavaksinuar. Ende i presim protokollet për punë të caktuar për periudhën e mëtejshme. Na pyesin mysafirët a do na dëboni nga hotelet pas datës 16, sepse nuk jemi të vaksinuar, a do mund të qëndrojmë edhe më tej – tha Ilçe Dimitrieski, menaxher hoteli në Ohër.

Gjithashtu, një pjesë e mirë e ngjarjeve, seminareve dhe konferencave që duhej të organizoheshin deri në fund të muajit dhe në shtator anulohen. Gjithashtu anulohen edhe një pjesë e dasmave që ishin planifikuar për periudhën tjetër. Hotelierët thonë se aplikimi eventual i ndonjë bllokimi të ri do të jetë goditje e madhe për turizmin dhe shumë hotele do të mbyllen përgjithmonë.