Formiche.net

Në një intervistë për “Formiche.net”, politologu i njohur amerikan, njëherazi themeluesi i think tankut “Eurasia Group”, Ian Bremmer,thotë se largimi nga Afganistani, është një turp kombëtar për Shtetet e Bashkuara. Bremmer thekson se ai do ta dobësojë presidentin Joe Biden, por përgjegjësia për këtë dështim është sipas tij e 4 administratave.

Aleatët e NATO -s u lanë vetëm, ndërsa Kina, Rusia, Pakistani shihen si përfitueset momentale nga zhvillimet e fundit, ndonëse në një periudhë afatgjatë askush nuk do të përfitojë nga kaosi ku është zhytur sot Kabuli.

Bremmer, a është Kabuli, Saigoni i ri?

Imazhet flasin vetë. Vetëm një muaj më parë Joe Biden deklaroi se nuk ishte as e imagjinueshme që të evakuohej personeli amerikan nga çatia e ambasadës, siç ndodhi dikur në Vietnam. Por në fakt kjo është ajo që ndodhi. Ne po përballemi serish me një poshtërim të madh kombëtar.

A ishte e parashikueshme kjo që ndodhi?

Jo, jo në këtë mënyrë. Unë vetë e mirëprita i lehtësuar, ashtu si shumica dërrmuese e amerikanëve, republikanë dhe demokratë qofshin, vendimin për të tërhequr trupat tona

nga Afganistani. Pas forcimit të pozitave të Talebanëve nën administratën Trump dhe zvogëlimit të forcave tona në terren, qëndrimi në atë vend do të kishte qenë i paqëndrueshëm, e lëre më pastaj të mendohej për të dërguar përforcime. Ajo ishte një luftë që urrehet nga amerikanët.

E megjithatë…?

Zbatimi i tërheqjes ishte në shumë aspekte i tmerrshëm. Duke filluar që nga studimi i skenarëve dhe i kohës së zgjedhur. Ishte e qartë se forcat afgane të sigurisë nuk ishin

të përgatitura për të luftuar dhe parandaluar rikthimin në pushtet të Talebanëve.

Ne kemi rrezikuar jetë njerëzish në terren, civilë amerikanë dhe aleatë, por edhe avionë dhe helikopterë që përpiqen të ulen në çatitë e fundit të lira të mbetura. Ka pasur një neglizhencë të pabesueshme. Por ndërkohë ka një faj tjetër të rëndë.

Që është?

Njëzet vjet më parë, Shtetet e Bashkuara i kërkuan aleatëve të NATO -s që t’i bashkoheshin në luftën në Afganistan. Amerikanët vendosën vetë që të largohen nga Afganistani, pa

asnjë njoftim paraprak apo diskutim me evropianët, kanadezët, britanikët. Nuk pati asnjë koordinim shumëpalësh për menaxhimin e flukseve të refugjatëve. Dhe nuk po flas vetëm për aleatët.

Po për cilët?

Kinën. Pekini është i tmerruar nga pasja e një shteti fqinj të dështuar, që ka rënë në duart e një grupi ekstremistësh, të cilët do të nisin drejt tij një fluks të madh refugjatësh. Paraprakisht Shtetet e Bashkuara duhej të bisedonin me qeverinë kineze, të dërgonin ndihma humanitare dhe paqeruajtës, të garantonin mbështetje ajrore dhe dronë, dhe të ndanin me autoritetet afgane informacionet e shërbimeve sekrete. Kjo nuk ndodhi në asnjë rast. Dhe tani kinezët nuk do të marrin përgjegjësinë e tyre në krizën që do të pasojë grushtin e shtetit.

A do të bjerë faji mbi Joe Biden?

Nuk është e drejtë të drejtohet gishti i akuzës vetëm tek ai. Kjo luftë filloi nga George W.Bush dhe pas harxhimit të1 trilionë dollarëve dhe 100 mijë burrave të dërguar në terren, asnjëra nga 4 administratat nuk mund të mburret me rezultatet.

Obama shtoi trupat në terren dhe dështoi në bisedimet me Talebanët. Trump pati një rekord akoma më negativ. Gabimet në komunikim të kësaj administrate, plotësuan pjesën tjetër të dështimit. Dhe tani një vendim fillimisht popullor, rrezikon që të zemërojë opinionin publik amerikan, që është tashmë i ndarë për shkak të ndarjeve politike.

Cilët janë fituesit në këtë kaos?

Pakistani është i vetmi vend që mund të pretendojë fitoren. Pasi është vendi që ka pasur historikisht marrëdhënie më të forta me Talebanët. Por edhe për ta festa nuk do të zgjasë shumë. Destabiliteti rajonal nuk do të ndihmojë as Islamabadin, që do të detyrohet të përballet me një valë të re radikalizmi brenda kufijve të tij.

Po Rusia?

Rusët do të bashkëpunojnë me qeverinë tranzitore si dhe me udhëheqjen e re talebane. Për Moskën dobësia e treguar nga Shtetet e Bashkuara është një zhvillim shumë i mirë. Por kjo situatë nuk ka ndonjë fitues të vërtetë, pasi askujt nuk i pëlqen të ketë një vend fqinj që zhytet në kaos.

Talibanët nuk janë në gjendje të qeverisin një vend si Afganistani. Shumë shpejt fuqitë lokale do të rifitojnë pushtetin e tyre, dhe pjesa më e madhe e veriut të vendit do të rikthehet në duart e komandantëve lokalë të luftës.

Por largimi kaotik i SHBA-së nga Afganistani dërgon një mesazh. Nëse Talebanët munden të hyjnë në Kabul, pse të mos munden kinezët të depërtojnë në Tajvan?

Unë nuk mendoj se Kina po planifikon tani për tani një pushtim ushtarak të ishullit. Sigurisht që diplomacia e “ujqërve luftëtarë”, do të nisë ta pikturojë SHBA-në si një fuqi të pabesueshme, në rënie, dhe të paaftë për të udhëhequr bashkësinë ndërkombëtare, me synim lartësimin e modelit kinez. Por ndërkaq ka edhe një anë tjetër të medaljes.

Cila?

Qeveria kineze ka shpenzuar shumë para për të financuar Talebanët. Ajo dëshiron që të shfrytëzojë disa burime natyrore të këtij vendi. Por deri më tani ka pasur rezultate të dobëta. Dhe Pekini e pagoi koston e terrorizmit xhihadist pranë Talebanëve:Sulmi i fundit vrau 9 njerëz në Pakistan. Prandaj e theksoj se nga kjo luftë nuk fiton askush.