Ministri i Mbrotjes Niko Peleshi ka njoftuar se është vendosur nën kontroll zjarri në Malin e Rrajcës në Përrenjas.

Ai shkruan në rrjete sociale se puna po vijon ende pasi era mund të favorizojë flakët duke rrezikuar Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Në malin e Tërbunit të Pukës dhe në fshatin Dardhë të Fushë-Arrëz era dhe terreni po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa për të neutralizuar 2 vatrat po punojnë rreth 200 forca.

Sipas Peleshit, vatrat e tjera në vend nuk paraqisin rrezik të lartë.

Njoftimi i Niko Peleshit:

Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit lokalë kanë vënë nën kontroll zjarrin në Malin e Rrjacës në Prrenjas, por puna vijon pasi era mund ta favorizojë duke rrezikuar Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës në kufi me Maqedoninë e Veriut, ku edhe fqinjët tanë po punojnë në pjesën e tyre.
Mbi 100 forca po luftojnë me flakët në 2 vatra të ndryshme në fshatrat Thirrë dhe Katund i Vjetër në Mirditë, ku tymi i dendur ka vështirësuar ndërhyrjen nga ajri dhe era favorizon flakët.

Në malin e Tërbunit në Pukë dhe fshatin Dardhë në Fushë-Arrëz era dhe terreni po favorizojnë përhapjen e zjarrit, ndërkohë që në këto 2 vatra po punojnë aktualisht në terren rreth 200 forca.
Vatrat e tjera në vend nuk paraqesin rrezik të lartë dhe vijon puna e autoriteteve lokale për shuarjen e tyre.