Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili u zhvillua për të trajtuar situatën në Afganistan.

Xhaçka tha se Shqipëria është gati të presë fëmijët, gratë e burrat, jeta e të cilëve është në rrezik nga situata e rënduar e sigurisë.

“Edhe pse të gjithë sot kanë në mendje 1000 pyetje e diskutime të mundshme për atë që ka ndodhur dhe atë që do të jetë e ardhmja e NATO-s, çështja kryesore, në fakt e vetme, ku duhet të fokusohemi sot janë gratë, fëmijët dhe burrat afganë që sot rrezikojnë jetën sepse punuan për ne.

Është e papranueshme që vendet anëtare të NATO-s të mos arrijnë dot t’ju ofrojnë strehim dhe një jetë të re njerëzve që punuan dhe luftuan për të ardhmen që ne ju premtuam. Nëse Shqipëria e bëka këtë, cili vend në këtë tryezë nuk e bëka dot?!”, tha kryediplomatja Xhaçka gjatë fjalës së saj.

Xhaçka ndër të tjera njohu pjesëmarrësit edhe me masat e marra nga qeveria shqiptare për pritjen e qytetarëve afganë.

Në përfundim të takimit, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s aprovuan edhe një deklaratë të përbashkët.