Nën moton “Dëshmitë e lartësuara, vargjet e lartësuara”, prej 26 deri 30 gusht do të mbahet edicioni i 60-të jubilar i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, në të cilin është paralajmëruar pjesëmarrje e më shumë se 30 poetëve nga vendi dhe jashtë vendit.

Festivali, siç njoftoi drejtoria, do të organizohet me prani fizike të poetëve vendorë dhe të pjesës më të madhe të pjesëmarrësve të ftuar nga jashtë, ndërsa një pjesë e poetëve botërorë të cilët nuk mund të marrin pjesë do të prezantohen përmes videoleximeve. Videoparaqitje dhe videolexim special, sipas informacionit të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, do të ketë edhe laureati i këtij viti, poetja britanike Keroll En Dafi.

“Programi do t’i përmbajë përmbajtjet e njohura të festivalit. Më shumë se 30 poetë vendorë dhe të huaj nga gjenerata më e vjetër, por edhe më e re, do të marrin pjesë në festival në leximet kryesore të festivalit. Në përputhje me programin janë paraparë nderime përkujtimore të doajenëve të poezisë maqedonase Ante Popovski dhe Bogomil Gjuzel, ndërsa si ngjarje speciale është promovimi i edicionit monografik ‘Përzgjedhje nga poezia dhe proza e shkurtër nga Bllazhe Koneski’, si pjesë e Programit Nacional me të cilin shënohet 100 vjetori i lindjes së të madhit të kulturës maqedonase”, njoftoi IN “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”.

Motoja e këtij viti “Dëshmitë e lartësuara, vargjet e lartësuara,” sipas informacionit, e potencon rëndësinë e Parkut të poezisë dhe simbolikës së mbjelljes së drurit nga ana e laureatëve çdo vit, si akt me të cilin shënohet rritja e festivalit.

Mbrëmjet Strugane të Poezisë, si një nga festivalet më të vjetra dhe më të rëndësishme botërore poetike, do të mbahet me respektimin e plotë të masave më të reja për mbrojtje nga koronavirusi. Hapja dhe mbyllja solemne, sipas paralajmërimit, do të mbahet në tarracën e mbuluar në hotelin “Drin”. Në ditët e tjera, programi i paradites është paraparë të zhvillohet në Sallën e Kongreseve në hotelin “Drin”, ndërsa programi i mbrëmjes në skenën verore të Qendrës së Kulturës “Vëllezërit Milladinovci”.

“Prania fizike e publikut do të jetë e kufizuar për shkak të kapacitetit të hapësirës dhe për shkak të protokolleve për mbrojtje, me detyrimin që të tregohet certifikata/ vërtetimi për vaksinim të bërë, gjegjësisht të kenë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës ose certifikatë /vërtetim se e kanë kaluar Kovid-19 gjatë 45 ditëve të fundit, duke e përllogaritur ditën e shërimit, për persona të moshës mbi 18 vjet. Programi i festivalit, duke filluar nga edicioni në vitin 2019, transmetohet i tëri drejtpërdrejtë në kanalin zyrtar të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë në Youtube, kështu që do të mundësohet ndjekja e plotë nga ana e audiencës më të gjerë”, qëndron në kumtesën e Mbrmjeve Strugane të Poezisë.