Mysafirët e huaj, veçanërisht ato të Ballkanit, kanë filluar me anulimin e prenotimeve për në Ohër dhe Strugë në kapacitetet private. Arsye janë masat e vendosura kundër Covid, veçanërisht nevoja për të treguar dëshmi për vaksinim në hyrje të ambienteve gastronomike. Madje disa mysafirë janë larguar nga Ohri para kohe.

Kishim disa rezervime nga Mali i Zi, Kroacia. Kishim një grup me makina Xhip “of-roud” që duhej të shkonin nëpër male dhe ata menjëherë anuluan, nuk kishin mundësi të vijnë. Ne gjithashtu kishim disa mysafirë që ishin në Ohër në kohën kur këto masa u publikuan dhe u larguan më herët. Diku rreth 6-7 rezervime janë anuluar vetëm për në shtator dhe besoj se edhe të tjerët do të anulojnë”, tha Vanço Risteski, pronar apartamenti.

Për periudhën pas 1 shtatorit, ka shumë që kanë hequr dorë sepse kërkojnë certifikatë vaksinimi dhe kovid test. Kam shembull personal, më telefonuan këtë mëngjes nga Serbia, për fat të keq thonë se këtë vit nuk mund ta vizitojmë Ohrin…”, theksoi Metodija Smakoski, pronare apartamentesh.

Disa biznese të tjera në sektorin e turizmit kanë vendosur të mbyllin objektet për shkak të situatave të pakëndshme.

U gjendëm që në ditën e parë në situatë të vështirë, kryesisht me mysafirët e rregullt. Ata vijnë dhe brenda një dite kemi kthyer 100 persona. Si është ndjenja ta presësh në shkallë dhe t’i thuash; më falni por duhet të ktheheni. Kishim mysafirë të huaj që ishin vaksinuar. Ata u ulën për drekë dhe shoferi i taksisë priste jashtë. Kjo është e pakuptueshme për mua dhe kjo është arsyeja pse ne e mbyllëm restorantin në shenjë proteste”, theksoi Goran Angjeloski, pronar restoranti.

Gastronomët dhe pronarët privat të apartamenteve thonë se masat duhet të ishin aplikuar gradualisht, jo të gjitha menjëherë. Bizneset e tjera të vogla që jetojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga turizmi filluan t’i ndiejnë pasojat.