Nga Adam Lammon, National Interest

Pushtimi i shpejtë i talebanëve në Afganistan ka befasuar shumë njerëz. Por komentet janë zhvendosur po aq shpejt në vlerësimin e ndikimit të tij mbi sigurinë kombëtare të SHBA-së. Bisedat janë fokusuar kryesisht në atë, nëse talebanët do të ndihmojnë apo do të nxisin një tjetër “sulm mega-terrorist” kundër Shteteve të Bashkuara, të ngjashëm me atë të 11 Shtatorit 2001, duke e detyruar kësisoj Uashingtonin që të sulmojë edhe një herë “varrezën e perandorive”.

Duke pasur parasysh përvojën amerikane si me Afganistanin po ashtu edhe me Al Kaedën -organizatë qëruan një prani domethënëse në vend dhe ka besnikëri reciproke ndaj talebanëve – kjo frikë është e kuptueshme, por është po aq edhe e habitshme.

Pas 20 vitesh luftë, talebanët duket se kanë mësuar disa leksione në lidhje me vlerën – ose të paktën dukjen – e të qenit të moderuar. Grupi po promovon shprehimisht synimin e tij për të respektuar të drejtat e grave, natyrisht brenda kufijve të ligjit të Sheriatit, për të lejuar angazhimin në punë të gazetareve femra dhe ndalimin e dëmtimit të të tjerëve.

Po ashtu ai ka premtuar të angazhohet me bashkësinë ndërkombëtare në bazë të “marrëdhënieve paqësore”. Ata që janë skeptikë ndaj grupit terrorist nuk kanë nevojë të ndërrojnë mendje. Por nga ana tjetër nuk duhet të anashkalojmë faktin se ashtu si Amerika, edhe talebanët, nuk janë të interesuar për më shumë luftë, sidomos nëse dëshirojnë të drejtojnë vendin e tyre, Emiratin e sapo-shpallur Islamik.

Në këtë drejtim, talebanët mund të “reformohen” në të njëjtën linjë me një grup tjetër terrorist që supozohet se është rehabilituar, Hezbollahun libanez. Siç shkroi Matthew Levitt në librin “Hezbollah:Prania globale e Partisë libaneze të Zotit”,sulmet e Al-Kaedës më 11 Shtator rezultuan të ishin një pikë kthese për Hezbollahun, grupin përgjegjës për vdekjen e më shumë amerikanëve se sa çdo grup tjetër terrorist deri më 11 shtator.

“Hezbollahu duket se ka vendosur me vetëdije që të anulojë operacionet e tij ndërkombëtare, dhe t’i kufizojë përpjekjet e tij për të goditur objektivat izraelite”-theksoi ai. A mund të mësojnë talebanët nga Hezbollahu? Të dyja grupet ndajnë disa të përbashkëta.

Që të dy mbaheshin shumë nën mbikëqyrje dhe mbi to ushtrohej shumë presion nga Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 Shtatorit. Ato janë të pozicionuara si mbrojtës të besimit islam, dhe përfshihen në sjellje shumë kriminale për të financuar aktivitetet e tyre. Por Hezbollahu nuk është më një lëvizje kryengritëse terroriste si dikur. Ky grupim është tani një aktor politik, i pranuar në Liban dhe në mesin e disa vendeve në bashkësinë ndërkombëtare.

Talebanët ka të ngjarë ta shohin me zili statusin e tyre. Në fakt, Hezbollahu ka punuar pa u lodhur për të përmirësuar imazhin e tij, duke e ndërtuar legjitimitetin në popull përmes reformave sociale të përqendruara në luftën ndaj korrupsionit dhe rikthimin e dinjitetit të libanezëve pas viteve të luftës civile dhe pushtimit izraelit.

Me kalimin e kohës, Hezbollahu filloi të ofrojë shërbime, një sistem gjykatash islamike paralelisht me gjykatat e shtetit, madje edhe arsimim për të prodhuar një mbështetje elektorale në rritje. Kjo organizatë arriti përfaqësim në nivelet parlamentare, ministrore dhe lokale të qeverisjes, duke krijuar një “shtet brenda shtetit”.

Shembulli i Hezbollahut është aq i dobishëm për talebanët, të cilët si sovrani i vetëm i Afganistanit duhet të sundojnë mbi një zonë shumë heterogjene. Në këtë aspekt, shembull janë Houthit në Jemen. Në luftën e tyre për të rrëzuar qeverinë e njohur ndërkombëtarisht dhe për të marrë nën kontroll Jemenin, Houthit u është dashur të luftojnë me fraksionet fisnore të brendshme, rivale dhe kundër një koalicion të jashtëm të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara.

Houthët përdorën dosjet dhe regjistrat e shërbimet sekrete jemenase për të ndërtuar aleancat dhe nxitur “solidaritetin fisnor” me klanet lokale, dhe për të rekrutuar anëtarë nga Ministria e Mbrojtjes e qeverisë kalimtare. Afganistani ka një strukturë fisnore të ngjashme me Jemenin.

Edhe talebanët duket se janë të interesuar që të përfshijnë në regjimin e tyre të ri elementë të gatshëm të aparatit të inteligjencës dhe sigurisë së qeverisë afgane. Ashtu siç përdorën pleqtë e fiseve për të ndërmjetësuar armëpushimet dhe për dorëzimin e ushtrisë afgane disa muaj para rënies së qeverisë në Kabul, talebanët do ta kenë të nevojshme të mbështeten mbi një përzierje të diplomacisë, forcës dhe nxitjeve për të gjetur aleatë, ose të paktën për të bindur klanet e pakënaqura dhe mosbesuese që të mos rrëmbejnë armët kundër tyre.

Fitimi i njohjes dhe ndihmës ndërkombëtare, janë gjithashtu përparësi për qeverinë e re afgane, e cila ka një mal me sfida përpara. Por ndryshe nga Houthi dhe Hezbollahu, talebanët kanë vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike me një numër vendesh të rëndësishme, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Emirati Islamik i Afganistanit mund të ketë gjetur një aleat tek Republika Islamike e Iranit,e cila ka një histori të gjatë në rezistencën ndaj sanksioneve amerikane, dhe në përshtatjen e sjelljes së saj për të kënaqur partnerët ndërkombëtarë, ndërsa bashkëpunon vazhdimisht me organizatat terroriste dhe militantët.

Edhe pse raporti i Iranit me Al Kaedën është më shumë një aleancë pragmatike, një aks i ri në forcim e sipër midis Teheranit dhe Kabulit,ai mund ta ndryshojë natyrën e asaj marrëdhënie. Për shembull, Irani mund të lirojë disa nga udhëheqësit e Al Kaedës, ose të përdorë milicinë e tij shiite afgane, Brigadën Fatemijun, për të forcuar një partneritet afgano-iranian të sigurisë. Por a mund të bëhet sërish Afganistani një vatër e re e xhihadizmit në Lindjen e Mesme? Al Kaeda mendon se po. Eksperti i antiterrorizmit Ali Soufan, ka folur kohët e fundit sesi Al Kaeda dhe talebanët besojnë se Afganistani është kryeqyteti i kalifatit mitik “Khorasan”, një perandori islamike që shtrihet në zona të mëdha të Azisë Qendrore, Iranit dhe Afganistanit, dhe që është e destinuar të shtrihet deri në Jeruzalem në brigjet e Detit Mesdhe.

A do ta përvetësojnë talebanët dhe Al-Kaeda këtë profeci për të rekrutuar luftëtarë të huaj nga e gjithë bota, si dikur ISIS? Siç e thekson Daniel Byman në “Foreign Policy”, 10.000- 20.000 vullnetarë xhihadistë kaluan nëpër kampet e trajnimit të terroristëve në Afganistan gjatë viteve 1996-2001, duke u indoktrinuar për xhihadin global anti-amerikan. Ata mund ta bëjnë sërish këtë. Për më tepër, me rënien e kalifatit të ISIS, dhe me Al-Kaedën dhe talebanët që duken mbizotërues ndaj një Perëndimi të mundur.

*Marrë me shkurtime

Shënim: Adam Lammon, është ekspert i Lindjes së Mesme në “Center për National Interest”. Ai është specializuar për politikat e sigurisë në Universitetin Xhorxh Uashington.