The Economist

Sapo Amerika njoftoi se nuk do të shpëtonte dot shtetin e saj klient, Afganistanin,gjërat u përshkallëzuan shumë shpejt. Ndërsa armiku po pushtonte krahinë pas krahine, ushtarët e qeverisë afgane zhveshën uniformat e tyre dhe morën arratinë.

Në letër ushtria afgane kishte qindra mijëra luftëtarë të mirë-pajisur. Në realitet, disa komandantëve më besnikë, iu desh që të blinin municion nga oficerët e logjistikës dhe të paguanin para në dorë për mbështetjen e artilerisë.

Forcat speciale luftuan mirë, por trupat e rregullta komandoheshin shpesh nga të afërmit e paaftë të politikanëve afganë. Ushtarët nuk merrnin rregullisht pagat e tyre,pasi zyrtarët vodhën të gjithë fondet e ushtrisë.

Qytetarët zgjodhën t’i qëndrojnë besnikë familjeve dhe klaneve të tyre, dhe jo një qeverie të korruptuar që kishte të ngjarë më shumë t’i linte në baltë se sa t’i ndihmonte ata. Shteti afgan ishte një fshat Potemkian, butaforik, i ndërtuar enkas për të kënaqur sponsorët e tij amerikanë.

Kur ata u larguan, ai ra sa hap e mbyll sytë. Po kështu ndodhi me Vietnamin e Jugut në vitin 1975, dhe sërish ditët e fundit në Afganistan. Ngjashmëritë midis dy rënieve janë të habitshme. Ato shkojnë përtej dështimeve të shërbimeve sekrete, fjalimeve mashtruese dhe aleatëve të braktisur.

Në fund, të dyja shtetet ranë pasi ishin gërryer nga korrupsioni, një sëmundje e lashtë e qeverisjes, ndaj së cilës janë të prirura të infektohen të gjitha projektet amerikane të ndërtimit të kombit. (Mendoni gjithashtu rastet e Irakut, Kosovës, Bosnjës dhe Haitit).

Dikur studiuesit e politikës, e konsideronin korrupsionin si një çështje të vogël. Por tani shumë prej tyre e shohin atë si vendimtare për të kuptuar jo vetëm pse dështojnë përfaqësuesit e Amerikës në këto shtete, por mënyrën sesi funksionojnë shtetet në përgjithësi.

Korrupsioni përkufizohet zakonisht si abuzim me postin publik për përfitime private. Forma e tij më e thjeshtë është ryshfeti, që në Afganistan është i kudondodhur. “Nga certifikata e lindjes dhe deri në certifikatën tuaj të vdekjes, dhe çfarëdolloj gjëje që ndodh midis, ju në njëfarë mënyre duhet të jepni ryshfet në këtë vend”-thotë Ahmad Shah Katawazai, një ish-diplomat afgan.

Katawazai u përjashtua nga shërbimi pasi shkroi një koment në media që denonconte korrupsionin qeveritar. Zyrtarët e doganave, policia dhe nëpunësit kërkojnë rregullisht“bakshish”.  Kur talebanët po përparonin me shpejtësi drejt Kabulit javët e fundit, pagesa e nevojshme për të marrë një pasaportë të re, që të jep mundësinë të largohesh nga vendi u rrit në mijëra dollarë. Por ryshfeti në sasi të vogla parash,është lloji më pak kërcënues i korrupsionit.

Më shqetësues janë vendimet e qeverisë për investime të mëdha, të cilat kërkojnë dhënien e një pjese të parave ministrave apo komandantëve lokale të luftës. Më keq akoma:një vend pune në postet qeveritare që kanë një qasje të madhe tek ryshfeti,është në vetvete një mall i vlefshëm.

Siç zbuloi Sarah Chayes, eksperte për korrupsionin, kur drejtonte një OJQ në Afganistan në vitet 2002-2009, shpesh zyrtarët lokalë i blejnë vendet e tyre të punës. Pastaj ata detyrohen që të marrin ryshfete, për të paguar investimin e tyre, ndërsa u dërgojnë eprorëve të tyre një pjesë të përfitimeve. Katawazai thotë se vendi i shefit të policisë në rajon mund të kushtojë mbi 100.000 dollarë.

Një korrupsion i tillë krijon rrjete patronazhi, të cilat e kërcënojnë integritetin e shtetit. Synimi kryesor i zyrtarëve, nuk është kryerja e misionit të agjencisë së tyre, por zhvatja e të ardhurave për t’ua shpërndarë familjeve dhe miqve të tyre.

Edhe para se ta pushtonte Amerika, Afganistani drejtohej pjesërisht nga rrjete patronazhi të drejtuara nga kryekomandantë rajonalë. Megjithatë, në vend se të shpërbëheshin këto rrjete, Amerika i forcoi ata duke paguar komandantët e luftës për të ruajtur paqen.

Kjo sipas raporteve të Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR), një autoritet mbikëqyrës i SHBA-së. Afganët u zemëruan shumë shpejt për shkak të korrupsionit qeveritar dhe u bënë më mikpritës ndaj talebanëve.

Një studim në vitin 2015 nga organizata “Transparency International”citoi deklaratën e një politikë-bërësi afgan:“Djemtë në fund po dërgojnë para në krye të sistemit, dhe djemtë në krye po dërgojnë mbrojtje atje poshtë, kjo është edhe mënyra se si funksionon një mafie”.

Vetëm në vitin 2009, Amerika i kushtoi vëmendje serioze dukurisë së korrupsionit. Zonja Chayes u bë këshilltare e Stanley Mcchrystal, një gjeneral reformist që më pas drejtoi ISAF, koalicionin e forcave të udhëhequra nga NATO në Afganistan.

Një njësi hetimi e ISAF e njohur si Shafafiyat (‘transparencë’ në gjuhën pashtune), u krijua nën drejtimin e H.R.McMaster, që më vonë shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare të spresidentit Trump. Kjo njësi bëri hapa para në ndalimin e abuzimeve me prokurimet publike. Por nën komandantët pasues, puna e Shafafiyat u sabotua. Në kohën e ofensivës përfundimtare të talebanëve, shteti afgan ishte bërë aq shumëi  korruptuar, saqë shumica e guvernatorëve të tij arritën marrëveshje me xhihadistët për të ndërruar anë. Ushtria afgane ishte në një gjendje shumë të keqe për të luftuar kundër tyre:shifrat e saj u rritën nga “ushtarët fantazmë”, nga rekrutët e listuar fiktivisht në listën e pagave, në mënyrë që komandantët të mund të vidhnin pagat e tyre.

Amerikanët që kanë sot një moshë të caktuar, mund ta mbajnë mend mirë termin “ushtarë fantazmë” nga koha e Luftës së Vietnamit, ku komandantët e korruptuar përdornin saktësisht të njëjtin sistem korrupsioni. Ndoshta një e katërta e emrave në listat e ushtrisë së Vietnamit të Jugut (ARVN) në Deltën e Mekongut në vitin 1975 ishin fiktiv.

Disa oficerë të ARVN ishin biznesmenë të shkëlqyer. Një kolonel i Vietnamit të Jugut porosiste pa arsye municion artilerie, në mënyrë që t’i përdorte predhat për skrap. Ashtu si

në Afganistan, forcat policore dhe ato ushtarake përfituan nga trafiku i heroinës.

Në fakt, përfundimet e një raporti të vitit 1978 mbi rënien e Vietnamit të Jugut nga RAND Corporation, një institut i sigurisë, janë shumë të ngjashme me raportin e fundit të SIGAR mbi Afganistanin, të publikuar më 31 korrik. Vietnamezët e Jugut besonin se korrupsioni ishte “një sëmundje themelore, e cila ishte kryesisht përgjegjëse për kolapsin përfundimtar”, thuhej në raportin e RAND.

Problemi ishte diagnostikuar në Vietnam nga oficerët që në fillim të viteve 1960. Atëherë, pse Amerika refuzoi ta trajtonte atë si një çështje serioze kur pushtoi Afganistanin disa dekada më vonë? Një përgjigje,është se kjo gjë do të kërkonte një ndryshim të perspektivës. Gjatë2 dekadave të fundit, shumë studiues e kanë parë korrupsionin si një formë të qeverisjes në vetvete. Ajo i ngjan shteteve para-moderne, të cilat politologu i njohur amerikan Francis Fukuyama,i quan qeveri “personaliste”, ku pushteti bazohet tek lidhjet e familjes ose miqësisë dhe jo tek institucionet jo personale.

Shtete të tilla merren kryesisht me qetësimin e komandantëve të armatosur, duke iu dhënë atyre një pjesë të‘plaçkës’ ekonomike. Ky përshkrim vlen po aq mirë për mafien, sistemet feudale siç janë ato të Evropës mesjetare, dhe regjimet e kryekomandantëve në Vietnamin e Jugut dhe Afganistan.

Shtete të tilla mund të jenë mjaft të qëndrueshme. Por atyre u mungon besnikëria dhe kohezioni i nevojshëm për të mposhtur një kryengritje ideologjike të disiplinuar, siç janë komunistët vietnamezë apo talebanët.  Një problem tjetër,është se ndërhyrjet amerikane u udhëhoqën nga forcat e armatosura, të cilat janë të njëanshme drejt një raportimi optimist dhe strategjie afatshkurtër.

Oficerët ushtarakë“janë tejet të fokusuar në ndërmarrjen e verimeve brenda kohëzgjatjes së komandës së tyre 9-mujore, gjë që nuk është e përshtatshme për adresimin e problemit të korrupsionit”- thotë Mark Pyman i “CurbingCorruption”.

Pyman, që drejtoi studimin e “Transparency International”, thotë se në fillim të pushtimit, ushtarakët mburreshin se i kishin qetësuar rajonet e tyre përmes pagesave të majme ndaj komandantëve lokal të luftës. Ndërkohë agjencitë e ndihmës, kanë zakonin e dyshimtë të gjykimit të suksesit bazuar nëatë se sa para mbledhin, dhe nëse i kanë shpenzuar të gjitha.

Kjo gjë çon në një problem që ka lidhje me të:shpenzimi i shumë parave në vendet e varfra shkakton korrupsion. Si në Vietnamin e Jugut ashtu edhe në Afganistan, një fluks i madh dollarësh amerikanë, shkaktoi një rritje të inflacionit, duke zhvlerësuar ndjeshëm fuqinë blerëse të pagave në sektorit publik.

Afganistani, me një PBB prej rreth 20 miliardë dollarësh në vitin 2020, mori 145 miliardë dollarë ndihma nga SHBA gjatë viteve 2001-2021. Inflacioni në vitet 2003-2008 ishte mesatarisht 17.5 në vit. As qeveria afgane nuk kishte kapacitet e duhura për të mbledhur taksa të mjaftueshme për pagat e ushtarëve dhe nëpunësve civilë.

Në këto kushte, nëpunësit e ndershëm u detyruan të kërkojnë ryshfet për të mbështetur veten. Prandaj një rekomandim i ekspertëve kundër korrupsionit,është që në vende si Afganistani ndihma duhet të jetë e kursyer dhe të përqendrohet tek arritjet dhe jo tek madhësia e grantit. Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.

Amerika është njëkohësisht ndër kombet më të pasura dhe më idealiste në botë, dhe në një moment ndoshta do të vendosë të shpëtojë një vend tjetër të përvuajtur. Por nëse nuk mëson se dollarët nuk mund të ndërtojnë vetvetiu një qeveri të vërtetë, ajo mund të përfundojë duke krijuar një tjetër shtet prej letre.