Ambasada e Rusisë në Tiranë ka replikuar me ambasadën e SHBA-së pas reagimit të përfaqësisë diplomatike të Uashingtonit në vendin tonë për cështjen e liderit të opozitës Alexey Navalny, i cili vijon që të jetë në burg. Dje, ambasada amerikane në një postim në Facebook i bëri thirrje qeverisë ruse të lirojë menjëherë Alexey Navalny, si dhe të gjithë ata që mbahen padrejtësisht në burg.

Një vit më parë, udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalny u helmua në vendlindjen e tij me një agjent nervor kimik. Pas shërimit të tij në Gjermani, ai u tregua i guximshëm dhe u kthye në Rusi. Atje u arrestua menjëherë dhe tashmë ka kaluar më shumë se 200 ditë pas hekurave. Ne i bëjmë thirrje qeverisë ruse të lirojë menjëherë Alexey Navalny, si dhe të gjithë ata që mbahen padrejtësisht. Populli rus ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e tij në mënyrë paqësore pa pasur frikë nga çdo lloj ndëshkimi”.

Por sot, ambasada ruse përgjigjet duke u shprehur se së pari sipas Moskës zyrtare, Navalni nuk është lideri i opozitës ruse, por thjesht një bloger. Rusia akuzon se vendet e Perëndimit, përfshirë SHBA-të, vazhdojnë t’i japin Navalnit një mbështetje të pamatur para sё gjithash për të lëkundur dhe ndërlikuar situatën e brendshme politike në Rusi. Por u kujton se është e kotë të ushtrosh presion mbi Rusinë, pasi përgjigja e saj, thotë ambasada, si gjithmonë, do të jetë e rreptё, por adekuate.

Reagimi i plotë i ambasadës ruse për çështjen e Navalnit

Në lidhje me informacionin, e postuar në faqen “Facebook” të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë më datë 23 gusht të këtij viti, për blogerin rus Aleksej Navalni dhe thirrjen në adresë të qeverisë ruse për të liruar menjëherë të ashtuquajturin “luftëtarin e lirisë” nga burgu, do të donim të përcillnim për publikun shqiptar sa më poshtë.

Blogeri Aleksej Navalni nuk është aspak lider i opozitës, nuk përfaqëson asnjë parti politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë. Dëshira e pangopur e A.Navalnit për të shëtitur gjyqeve, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, quhet hapur prej tij formë përfitimi, rrogë. Dhёnja e vendimeve politike nga Gjykata në favor të tij është bërë si me konvejer.

Kujtojmë se më datë 30 dhjetor 2014 Gjykata Zamoskvoretski në Moskë, pasi shqyrtoi çështjen “Yves Rocher”, i shpalli vëllezërit Navalni fajtorë për mashtrim – krim i dënueshëm penalisht dhe dënoi me kusht Aleksej Navalnin për 3,5 vjet, ndërsa dënoi me 3,5 vjet burgim në koloni të regjimit të përgjithshëm vëllain e tij, Oleg Navalnin. Në janar të vitit 2021, pas kthimit nga Gjermania në Rusi, shtetasi rus A.Navalni u arrestua nga policia “për shkelje të shumta të afatit të provës” për të njëjtën çështje – “Yves Rocher”.

Më datë 2 shkurt 2021 Gjykata Simonovski në Moskë ktheu dënimin me kusht në burgim (aktualisht ai shlyen dënimin në koloninë Pokrovskaja, rrethi i Vladimirit). Siç thuhet, «dura lex sed lex» …

Vendet e Perëndimit, përfshirë SHBA-të, vazhdojnë t’i japin A.Navalnit një mbështetje të pamatur para sё gjithash për të lëkundur dhe ndërlikuar situatën e brendshme politike në Rusi. Në vrullin e fushatës së nisur prej tyre, gënjeshtra të hapura po përdoren kundër autoriteteve ruse, përfshirë provokimin e organizuar nga shërbimet speciale perëndimore lidhur me helmimin e supozuar të Navalnit me lëndën e ashtuquajtur “Noviçok”.

E gjithë kjo është për të ardhur keq dhe duket e pashpresë, dëshmon për paaftësinë e tyre për të hequr dorë nga harbutëria arrogante dhe mosdëshira për të pranuar realitetin, duke e ditur që më parë se është e kotë të ushtrosh presion mbi Rusinë, pasi përgjigja e saj, si gjithmonë, do të jetë e rreptё, por adekuate.