Vdekja e Marigonës nga Ferizaj ishte e tmerrshme. Ajo dha shpirt nën dhunën e atij që i kishte besuar rrugën e mbetur të jetës, ishte martuar me të para dy muajsh. Ngjarje në kufijtë e makabres në Kosovë, pikëllim i madh për familjen dhe të afërmit, por edhe për krej shqiptarët.

Gjithsekush ka derdhur pika loti për atë 18-vjeçare, që iu ndërprenë ëndrrat në mes nga një bashkëshort xheloz, i droguar, me precedentë të shumtë penalë. Vetë kryeministri i Kosovës mori pjesë në varrimin e së resë, duke apeluar institucionet, sidomos të drejtësisë, të mos lejojnë më të tilla “bisha” jashtë burgut.

Sidoqoftë, një nga reagimet më prekëse ka qenë poezia kushtuar Marigonës së ndjerë nga aktori i madh Kosovar, Çun Lajçi. Njëlloj vajtimi që nxjerr në pah më së miri situatën e femrës në viset shqiptare, dhunën e burrave ndaj tyre, mbrojtjen e paktë nga institucionet.

Vargjet e kësaj poezie janë drithëruese për këdo që ka një motër, e cila mund të përballet në jetë me një “përbindësh” të tillë.

Nanë, a duhet me heshtë,

(Marigonë O),

m’lindët nga palcë kurrizi e m’puthët,

m’treguet për jetën diçka edhe për turpin,

m’dhatë kamë, por jo dorën kur u rrëzova

s’me mbrojtët nga dhunë e përdhunë.

Je femën thatë, nuse e re, duro,

fjalën ndrydhe si dhimbjen n’zemër,

baba m’kallxoi ç’asht nderi, nana ç’asht turpi,

por s’treguen ç’asht dashnia,

dhash shpirt para nji gjysëm burri,

që s’diti ç’asht grueja.

Nanë,

gjithçka më mësove,

por si të mbrohem nga nji burrë i pa burr,

kurrë s’më kallxove.