Ka filluar lëvizja e makinave në Qafën e Muzinës pas një bllokimi të trafikut prej dy orësh për shkak të aksidentit tragjik me pesë të vdekur.

Burime bëjnë me dije për abcneës.al se lëvizja rifilloi pak më parë pasi forcat zjarrfikëse të Bashkisë Dropull nxorën nga furgoni trupat e viktimave.

Mes tyre ishte edhe Bardhi Prodo, shoferi i furgonit që bënte linjën Tiranë-Sarandë, ndërsa shefi i zjarrfikësve të Bashkisë Dropull Alqi Kosta tha për abcneës.al se viktimat e tjera janë dy gra dhe dy burra, të katërt pasagjerë të furgonit.

Policia njoftoi se furgoni ishte përplasur nga një fuoristradë tip “Land Rover” dhe më pas ka përfunduar në greminë duke mos i dhënë asnjë shans pasagjerëve që ndodheshin aty. Të gjithë ata ndërruan jetë për shkak të shpejtësisë së fuoristradës, e cila sipas policisë drejtohej nga një grua.