Talebanët deklarojnë se kanë marrë kontrollin e disa pjesëve të aeroportit të Kabulit, tha një zëdhënës i tyre, katër ditë para se trupat amerikane të largohen nga Afganistani përgjithmonë.

Sot, tre pjesë të rëndësishme të seksionit ushtarak të aeroportit të Kabulit janë evakuuar nga amerikanët” shkroi zëdhënësi Bilal Karimi në Twitter. “Tani, vetëm një pjesë shumë e vogël mbetet në duart e amerikanëve” shtoi ai.

Një zyrtar i dytë taleban konfirmoi se aeroporti ishte i kontrolluar nga militantët e tyre, por zëdhënësi i Pentagonit John Kirby e mohoi, duke thënë se talebanët nuk kishin kontroll mbi asnjë pjesë të aeroportit ose portat e tij.

Një tjetër komandant i lartë taleban tha se forcat e tyre kishin marrë pozicione në aeroport dhe ishin gati të merrnin kontrollin, edhe në fundjavë, sapo forcat amerikane të tërhiqeshin, “është vetëm çështje kohe” tha ai.