Pavarësisht paralajmërimeve të rrepta nga zyrtarët federalë të shëndetësisë, konsumatorët në të gjithë SHBA po përpiqen të shtënë në dorë një ilaç që të mbrohen nga koronavirusi, ilaç që deri më sot përdoret për të trajtuar ose parandaluar parazitët në kafshë, si dhe te njerëzit.

Ilaçi, ivermectin, po fluturon nga raftet e dyqaneve në shumë shtete, edhe pse nuk është miratuar për trajtimin ose parandalimin e COVID-19 te njerëzit.

Shpërndarja e Ivermectin në farmacitë me pakicë është rritur, ashtu si edhe përdorimi i formulimeve veterinare të disponueshme pa recetë, por jo të destinuara për përdorim nga njerëzit,” thanë të enjten Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

FDA ka paralajmëruar për rreziqet e mundshme të përdorimit për parandalimin ose trajtimin e COVID-19.

Në fillim të këtij muaji, FDA tha se kishte parë një “interes në rritje” për ilaçin dhe tashmë është duke marrë denoncime të shumta për “pacientët që kanë kërkuar mbështetje mjekësore dhe janë shtruar në spital pasi ishin vetë-mjekuar me ivermectin të destinuar për kuaj”.

Megjithatë farmacitë po zbrazen, madje dhe ato veterinare. Ivermectin prodhohet si ilaç për kafshët, por gjendet dhe në farmacitë për njerëzit, për kurim nga parazitët.

Scott Schaeffer, drejtor menaxhues i Oklahoma Center Poison and Drug Information, i tha FOX Business se ata po marrin shpesh telefonata këtë muaj në lidhje me ivermectin.

“Ne jemi më të shqetësuar se njerëzit po marrin ilaçe pa ndihmën e mjekut të tyre dhe nga ana tjetër nuk ka dëshmi të besueshme se ivermectin është efektiv për trajtimin ose parandalimin e COVID,” tha Schaeffer.

Tabletat Ivermectin janë miratuar nga FDA vetëm “për të trajtuar njerëzit me strongyloidiasis të zorrëve dhe onkocerciasis, dy gjendje të shkaktuara nga krimbat parazitë”, citon noa.al.

Sipas FDA, disa forma të ivermectin janë miratuar gjithashtu për të trajtuar parazitët si morrat e kokës dhe për kushtet e lëkurës si rosacea, ndërsa format e tjera “përdoren në kafshë për të parandaluar sëmundjet e krimbave të zemrës dhe parazitët e brendshëm dhe të jashtëm”.

FDA tha sot se nuk ka miratuar ivermectin për përdorim në trajtimin ose parandalimin e COVID-19 te njerëzit. Ivermectin nuk është një anti-viral (një ilaç për trajtimin e viruseve).

FDA thekson se konsumatorët nuk duhet të përdorin ilaçe të destinuara për kafshët.

“Është e rëndësishme të theksohet se këto produkte janë të ndryshme nga ato për njerëzit, dhe të sigurta kur përdoren siç përshkruhen për kafshët,” tha FDA.