Një 44-vjeçar i dënuar jashtë dhe brenda vendit, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, është arrestuar sot nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë.

Eugen Vasili është dënuar nga një gjykatë italiane për trafik droge, e po ashtu edhe nga drejtësia shqiptare.

Ai rezultonte person në kërkim ndërkombëtar dhe jetonte duke mbajtur katër identitete të ndryshme: Eugen Vasili alias Eugen Lici alias Genti Goxhaj alias Gentjan Goxhaj.

Policia thotë se 44 vjeçarin nga Tirana, Prokuroria e Milanos e ka dënuar me 4 vjet e 9 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, ky vendim është njohur dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila ka vendosur se pas ekzekutimit të këtij vendimi, këtij shtetasi i mbeten për të vuajtur edhe 2 vjet e 5 muaj burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po bën procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.