Edy Reja mbrëmjen e djeshme me siguri nuk ka fjetur i qetë. Pa Hysajn, Baren dhe Manajn, të cilët janë të pezulluar me kartonë të verdhë, ai duhet të rreshtojë një skuadër për të mposhtur sonte Hungarinë.

Dueli me hungarezët luhet prej orës 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe italiani, edhe pse foli për gabimet te golat, nuk do të ndryshojë gjë në prapavijë. Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla pritet të luajnë para Berishës.

Digën në mesfushë do e ndërtojnë Abrashi dhe Gjasula, kurse fantazia do t’i besohet debutuesit Nedim Bajrami.

Në krahë Trashi është i sigurt titullar, kurse në linjën tjetër Roshi është favorit para Dokës. Në sulm Cikalleshi pritet të luajë me Uzunin.