Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Rama për atë çka sipas tij, e pret në mandatin e tij të tretë qeverisës.

Berisha tha sonte në intervistë televizive se ai do të jetë në parlament dhe do të bëjë një opozitarizëm të tillë, sa kryeministrit do t’i duket lule oponenca e deritanishme.

“Të presë ai se ia tregoj unë si do t’a bëj. Ai është një çiban në trupin e këtij kombi që duhet të hiqet sa më parë”, tha mes të tjerash Berisha.

Berisha tha se Rama ka përdorur çdo tentativë për të eliminuar kundërshtarët politikë, përmes shpifjeve të pafundme.

“Aty do të kem përpara Edi Ramën dhe e garantoj se do të ketë një opozitarizëm, që atij do t’i duken lule ato që kanë qenë përpara, sepse ai ka treguar me këtë mënyrë përfundimtare ligësinë e pafundme shpirtërore për të eliminuar kundërshtarët me shpifje dhe mashtrime.  Këtë s’e ka bërë njeri, kurrë”, tha Berisha dhe shtoi:

“Edi Rama vjen në Parlament si një mënxyrë kombëtare dhe si një autor i fatkeqësive kombëtare njëra pas tjetrës.

Edi Rama vjen në parlament si anti-shqiptar. Edi Rama vjen në parlament si njeriu i cili në 8 vite ka grabitur me klanin e tij miliarda e miliarda dhe ka përfunduar gjithsej 37 kilometra rrugë të lëna nga unë në mes.

Edi Rama është një vasal i Aleksandër Vuçiçit. Ai merr mësime nga një luftënxitës, një njeri që ka qenë ndjekësi i Millosheviçit, një njeri që nuk pranon gjenocidin në Bosnje. Ka qenë frymëzues i gjenocidit. Edi Rama ka qenë njeriu që prej vitesh i ka bërë atij makeup-in. E patë çfarë ndodhi në Mal të Zi. Të presi ai ia tregoj unë si do ja bëj unë. Ai është një çiban në trupin e këtij kombi që duhet të hiqet sa më parë.”